Dalin informacionet e para rreth asaj që u diskutua në takimin Trump, Putin dhe Xi

Sipas informacioneve që ka transmetuar CNN, një komunikatë e publikuar nga transmetuesi shtetëror kinez CCTV lidhur me takimin trepalësh ka bërë të ditur se Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping kanë shkëmbyer pikëpamje për një sërë çështjesh, përfshirë rrjedhat globale të energjisë, përhapjen e armëve bërthamore dhe sistemin juridik ndërkombëtar.

Veçanërisht, tre liderët kanë diskutuar rëndësinë e “respektimit të imunitetit që gëzojnë zyrtarët shtetërorë” dhe janë pajtuar se Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) dhe institucionet e tjera të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre, sipas komunikatës së CCTV-së.

Po ashtu, në njoftim thuhet se liderët kanë diskutuar edhe për “reformimin e Kombeve të Bashkuara”, në cilësinë e tyre si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Një tjetër temë e diskutuar ka qenë edhe furnizimi global me energji. Sipas CCTV-së, “të tri vendet planifikojnë të rrisin prodhimin dhe furnizimin me produkte të rafinuara të naftës, në të mirë të vendeve të botës”.

Sipas CNN-it, një zhvillim i tillë mund të përbëjë përfitim për industrinë ruse të naftës. Kjo vjen pasi administrata Trump njoftoi në tetor një marrëveshje të papritur që i lejon Rusisë eksportimin e naftës dizel në Shtetet e Bashkuara dhe në tregjet globale.

Komunikata nuk e përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë luftën në Iran, por CNN vlerëson se ajo mund të ketë qenë pjesë e diskutimeve për rëndësinë e “stabilitetit të rrjedhave të energjisë”.

Ndërkohë, sipas njoftimit të CCTV-së, liderët kanë ritheksuar se “një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë”.

Po ashtu, Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të vazhdojnë dialogun për “zvogëlimin e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore”.

CNN vë në pah edhe disa çështje të rëndësishme që nuk janë përmendur në komunikatën e transmetuesit shtetëror kinez.

Në mesin e tyre janë lufta në Ukrainë, inteligjenca artificiale dhe skandali që përfshin kompaninë amerikane Nvidia.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo