JALTA 2 NË SHENZHEN? Tri superfuqi, një botë në pasiguri





JALTA 2 NË SHENZHEN?
Tri superfuqi, një botë në pasiguri
Nga DAIM ILAZI
Takimi i 19 nëntorit në qytetin kinez Shenzhen, ku pritet të ulen në të njëjtën tryezë Donald
Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping, ngre një pyetje me peshë historike dhe gjeopolitike: a
mos vallë bota po përgatitet për një Jaltë të re?
Krahasimi me Konferencën e Jaltës të shkurtit 1945 nuk është i rastësishëm. Atëherë, Franklin
D. Roosevelt, Winston Churchill dhe Joseph Stalin projektuan arkitekturën politike të rendit të
pasluftës. Pasojat e marrëveshjeve të tyre ishin vendimtare për fatin e Evropës, veçanërisht të
Evropës Lindore, ku interesat e fuqive të mëdha shpesh mbizotëruan mbi parimin e
vetëvendosjes së popujve.
Tetëdhjetë e një vjet më vonë, konteksti historik është tjetër, por dilemat gjeopolitike mbeten
shqetësuese. Shtetet e Bashkuara synojnë të ruajnë epërsinë globale, Kina të afirmohet si qendër
e rendit të ri multipolar, ndërsa Rusia kërkon të rikthejë ndikimin e saj strategjik në arenën
ndërkombëtare. Pyetja themelore nuk është vetëm çfarë do të diskutojnë këta tre liderë, por çfarë
mund të vendosin për të tjerët.
Ukraina është shembulli më i ndjeshëm. A mund të negociohet e ardhmja e një shteti që përballet
me agresionin rus pa respektuar vullnetin dhe sovranitetin e tij? Edhe Evropa rrezikon të gjendet
përballë vendimeve strategjike të marra jashtë mekanizmave të saj. Ndërkohë, Palestina dhe
Lindja e Mesme mbeten një tjetër vatër potenciale e destabilizimit global.
Pikërisht këtu qëndron paralelizmi më shqetësues me Jaltën: rreziku që fatet e popujve të
përcaktohen nga interesat e fuqive të mëdha, ndërsa ata që preken drejtpërdrejt nga vendimet
mbeten jashtë tryezës së negociatave. Një rend multipolar nuk nënkupton domosdoshmërisht një
rend më të drejtë apo më demokratik. Ai mund të krijojë ekuilibra të rinj, por edhe sfera të reja
ndikimi dhe rivalitete strategjike. Prandaj, sfida kryesore e kohës sonë është që e drejta
ndërkombëtare të mos zëvendësohet nga logjika e forcës.
Për ne, që vijmë nga Ballkani, këto zhvillime nuk janë abstrakte.Kemi përvojë të hidhur. Historia
jonë është e mbushur me kufij të përcaktuar në kancelaritë e fuqive të mëdha, me aspirata
kombëtare të sakrifikuara dhe me vendime që kanë lënë gjurmë të thella në fatin e popujve.
Prandaj, shtetet e vogla kanë arsye të veçantë të jenë vigjilente e të brengosura.. Kur të
mëdhenjtë diskutojnë për ndarjen e ndikimit, të vegjlit duhet të mbrojnë të drejtën e tyre për të

vendosur mbi fatin e vet. Në politikën ndërkombëtare, e dijmë se miqësitë nuk janë të
përjetshme; interesat strategjike, po.
Nuk duhet paragjykuar se takimi trilateral i Shenzhenit do të prodhojë një marrëveshje të
ngjashme me atë të Jaltës. Megjithatë, simbolika e tij dëshmon se bota po hyn në një fazë të re të
rikonfigurimit të fuqisë globale. Jalta ishte tryeza ku u projektua rendi i pasluftës. Shenzheni
në Kinë mund të bëhet tryeza ku testohet rendi i së ardhmes.
A do të jetë kjo një tryezë për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, apo preludi i një ndarjeje të re
të botës në sfera ndikimi, ku Ukraina, Palestina, Evropa dhe shtetet e vogla rrezikojnë të mbeten
spektatore?
DAIM ILAZI

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo