Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se bullgarët duhet të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se për këtë çështje nuk ka më arsye për mospajtime mes Shkupit dhe Sofjes.
Në një intervistë për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT), Rama tha se përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutë buron nga marrëveshja mes dy vendeve, e arritur me ndërmjetësimin francez.
I pyetur nëse vazhdon të ketë mospajtime me udhëheqjen bullgare, Rama u përgjigj se rrethanat e para tre viteve kanë qenë ndryshe.
„Mendoj se tani nuk ka arsye për mospajtim, sepse nevoja që pakica bullgare të përfshihet në Kushtetutën e Maqedonisë është plotësisht e qartë. Kjo doli nga marrëveshja mes dy vendeve“, deklaroi Rama.
Ndryshimet kushtetuese, që parashikojnë përfshirjen e bullgarëve mes bashkësive të njohura në Kushtetutë, janë pjesë e kompromisit të vitit 2022 për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.