Rama e shkarkoi si kreu i PS në Tiranë, Veliaj mesazh nga burgu

Një ditë pas shkarkimit nga drejtimi politik i Partisë Socialiste në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë, duke zgjedhur një mesazh të tërthortë përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.

Veliaj ka ndarë pamje nga momenti i nisjes së Maratonës së Tiranës, ku tymueset shumëngjyrëshe sinjalizojnë startin e garës, ndërsa në mbishkrimin e videos ka përcjellë një mesazh që duket se lidhet edhe me situatën e tij të fundit politike.

Pa përmendur drejtpërdrejt shkarkimin dhe zhvillimet brenda Partisë Socialiste, kryebashkiaku ka zgjedhur të flasë për sfidat, vështirësitë dhe rëndësinë e këmbënguljes, duke lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të tërhiqet përballë rrethanave.

“Rruga drejt çdo finishi ka sfidat e veta. Ka momente kur rrethanat të thonë të ndalesh, por vullneti të kujton pse u nise. Mos u dorëzo, beso te forca jote dhe vazhdo përpara! Sepse, siç është e rëndësishme të mbërrish në finish, po aq është edhe të mos heqësh dorë nga rrugëtimi yt. Suksese”, shkruan Veliaj.

Mesazhi i tij vjen në një moment kur raportet e kryebashkiakut me drejtimin e Partisë Socialiste janë vënë në qendër të vëmendjes, pas vendimeve të marra në mbledhjen me dyer të mbyllura të Asamblesë Kombëtare të PS-së.

Gjatë kësaj mbledhjeje, kryeministri Edi Rama vendosi shkarkimin e Veliajt nga drejtimi politik i PS-së në Tiranë. Në vend të tij, si bashkëdrejtues u emëruan Ervin Demo dhe Albana Koçiu, ndërsa kryebashkiaku mbetet anëtar i thjeshtë i partisë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo