“Policia e Kosovës rreth 2 mijë ditë pa uniforma”, Haxhiu kërkon llogari nga Sveçla në Kuvend

“Policia e Kosovës rreth 2 mijë ditë pa uniforma”, Haxhiu kërkon llogari nga Sveçla në Kuvend
Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka ngritur në Kuvend çështjen e furnizimit të Policisë së Kosovës me uniforma, duke thënë se që nga viti 2021 nuk është siguruar furnizimi i plotë me uniforma për policët.

Ajo ka kërkuar nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të sqarojë arsyet e vonesave të vazhdueshme në këtë proces.

“Policia e Kosovës nuk është furnizuar me uniforma që nga viti 2021. Sot jemi 12 nëntor 2026, rreth 2 mijë ditë. Nuk po flasim për dy, por për rreth 2 mijë ditë pa uniforma. Pra, cilat janë arsyet e dështimit të vazhdueshëm për të siguruar furnizimin e plotë me uniforma për Policinë?”, ka pyetur Haxhiu, transmeton Klankosova.tv.

Në përgjigjen e tij, Sveçla ka thënë se gjatë mandatit të qeverisë mbështetja për Policinë e Kosovës nuk ka munguar asnjëherë, duke theksuar se buxheti i saj është rritur ndjeshëm.

“Gjatë gjithë mandatit tonë qeverisës, mbështetja për Policinë nuk ka munguar asnjëherë. Asnjë kërkesë e adresuar nga Policia për mbështetje nuk ka mbetur pa u trajtuar. Përkundrazi, kemi inkurajuar ngritjen e kapaciteteve të saj profesionale dhe operacionale. Buxhetin e PK-së e kemi gjetur me 109 milionë euro, e sot ai arrin në 176 milionë euro. Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, buxheti i alokuar dhe i shpenzuar për Policinë e Kosovës arrin në 732 milionë euro”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka theksuar se duhet bërë dallim mes përgjegjësive të Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe atyre të strukturave policore që merren me procedurat e prokurimit dhe furnizimit.

“Është e rëndësishme që të bëhet dallim i qartë i përgjegjësive. Qeveria dhe MPB-ja sigurojnë mbështetjen financiare për Policinë e Kosovës, ndërsa proceset e furnizimit dhe prokurimit zhvillohen nën përgjegjësinë e strukturave përkatëse të Policisë së Kosovës. Pra, mbështetja financiare dhe institucionale nuk ka munguar. Unë nuk jam as zyrtar e as drejtor i prokurorimit, as në ministri e as në polici. Nuk kam as mandat e as të drejtë ligjore të ndërhyj në proceset e prokurimit”, është shprehur ministri.

Sveçla ka sqaruar gjithashtu se çështja e ngritur nga Haxhiu ka të bëjë me uniformat e rendit dhe jo me të gjitha kategoritë e uniformave të Policisë, pasi sipas tij, furnizimi me uniforma taktike dhe operacionale ka vazhduar.

“Sa i përket furnizimit me uniforma, këtu po bëj një dallim, sepse po flasim për uniforma të rendit, jo për uniforma të Policisë së Kosovës në përgjithësi, duke qenë se furnizimi me uniforma taktike dhe operacionale ka pasur në vazhdimësi. Por po flasim për ato të rendit. Sipas raportit që kam pranuar nga Policia e Kosovës, procedurat për këtë furnizim janë iniciuar katër herë”, ka thënë Sveçla.

“Në vitin 2021 është iniciuar një procedurë e hapur në vlerë prej 11.3 milionë eurosh. Kjo procedurë është anuluar nga vetë Policia e Kosovës, pasi ofertat e pranuara nuk i kanë plotësuar kriteret administrative. Në vitin 2023 është iniciuar një tjetër procedurë, po ashtu në vlerë të njëjtë”, ka deklaruar Sveçla./Klankosova.tv

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo