Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe rreth 33 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti të rëndë rrugor në Kroaci, ku një autobus u përplas me barrierën e sigurisë dhe u përmbys në autostradë.
Media kroate HRT, ka publikuar informacione nga policia dhe ekipet e emergjencës ku thuhet se autobusi, i cili ishte i mbushur me pasagjerë dhe po udhëtonte drejt Zagrebit, doli nga rruga dhe u përplas me barrierat anësore, duke përfunduar i përmbysur.
Komandanti i zjarrfikësve të qarkut të Zagrebit, Dario Kezeric, bëri të ditur se gjashtë prej personave të lënduar, ndodhen në gjendje të rëndë.
Në momentin e aksidentit, në autobus ndodheshin 33 pasagjerë dhe dy drejtues mjeti. Sipas informacioneve paraprake, autobusi kishte targa serbe.
Autoritetet kroate kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik, ndërsa ekipet e emergjencës ndërhynë në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve.




