Kalaja e Tetovës drejt rrënimit, institucionet ende pa zgjidhje për mirëmbajtjen e saj

Mbeturina, objekte qe rrënohen dita ditës dhe shumë gurë që mungojnë nga muret origjinale të Kalasë së Tetovës. kjo është pasqyra e ditëve të sotme të këtij objekti të trashëgimisë kulturore të Qytetit të Tetovës. Në këtë gjendje ka mbetur për vite të tëra, si pasojë e mungesës së koordinimit mes institucioneve dhe hedhjes së përgjegjësisë te tjetri. Përveç që nuk mirëmbahet, Kalaja e Tetovës ka mbetur edhe pa ndriçim, ndërsa pastrimi i saj ka ndodhur vetëm dy herë, edhe atë jo nga institucionet, por nga disa vullnetarë. Nga Ministria e Kulturës, presin ndryshimet Ligjore, përmes të cilëve Kalaja do t’i takojë Muzeut të Qytetit.

“Siç e dini, tani është në përgatitje e sipër strategjia nacionale për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore ku e gjithë procedura dhe proceset janë futur në mënyrë që gjatë vitit 2026-2030 të ketë një rend shtetëror. Po ashtu ne jemi dëshmitarë të asaj se Ligji për trashëgimi kulturore që prej dhjetë vitesh nuk ka arritur atë ndryshim që e presim e njëra ndër problemet e kësaj është edhe Kalaja e Tetovës, shkaku se ingerencat deri më tani ishin jo të deshifruara siç duhej të jetë, e ideja është që në të ardhmen Kalaja e Tetovës të jetë në ingerenca të Muzeut të Tetovës.” – Afet Jashari, Këshilltar shtetëror në Ministrinë e Kulturës.

Për ish sekretarin shtetëror të Ministrisë së Kulturës Behixhudin Shehabi, ka disa arsye për ngecjen e punëve në kala.

“Ka dy shkaqe pse Kalja është kështu si është. Shkaku i parë është se kalaja në vitin 1990 kaloi në pronësi të Ipeshkvisë së Tetovës dhe çdo lëvizje atje kërkon lejen e këtij komuniteti dhe e dyta është çështja e gërmimeve arkeologjike që ende nuk kanë përfunduar. Në vitin 2006-2009 kemi bërë disa hapa konkrete për Kalanë, imareti dhe trapezaria ushtarake u rindërtuan, por Kalaja mund të shndrrohet në një ambient dhe vlera ku turizmi mund të lulëzojë, por hapa konkrete të BE në këtë drejtim ka dhe besoj që Ministria bashkë me komunën do ta ndjekin këtë”. – Behixhudin Shehabi, Ish sekretar në Ministrinë e Kulturës

Edhe Komuna e Tetovës thotë se ka gatishmëri të ndërhyjë në kuadër të kompetencave, por ne terren asnjë institucion nuk hedh hapin e parë.

“Ne si komunë kemi treguar gatishmërinë tonë që së paku në kuadër të kompetencave tona aty të intervenojmë”. – Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.

Kjo Kala, u ndërtua ka fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë nga Rexhep Pasha, e që më vonë, të zgjerohet nga Abdurahman Pasha, por pas largimit të Abdurahman Pashës nga Pollogu, Kalaja e Tetovës u la pas dore./alsat

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo