Lideri i partisë ZNAM, Maksim Dimitrievski ka paralajmëruar dalje nga Qeveria në rast se miratohet vendim që provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ai gjatë një interviste për TV Sitel, tha se, Lëvizja ZNAM nuk do të pranojë që provimi i jurisprudencës të mbahet në një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Nëse Qeveria merr një vendim ndryshe, partia është e gatshme të largohet nga koalicioni qeveritar. Dimitrievski tha se qëndrimet e ZNAM-it për këtë çështje janë të njohura për kryeministrin Hristijan Mickoski, por shtoi se partia është e gatshme të zhvillojë bisedime brenda koalicionit qeveritar.
Sinkron: Maksim Dimitrievski, Lëvizja ZNAM
“Në takimin e ardhshëm me kryeministrin do të kërkoj një takim të liderëve, sepse ne asnjëherë nuk kemi diskutuar hapur për këtë çështje me partnerët tanë në Qeveri, në mënyrë që të përcaktojmë të gjitha vijat e kuqe dhe çfarë do të nënkuptojë kjo në të ardhmen për shtetin dhe për të gjithë sistemin tonë të drejtësisë”.
Sipas tij, çështja e provimit të jurisprudencës nuk është e izoluar, por prek edhe aspekte më të gjera të funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe të rregullimit shtetëror. Ai pretendon se pas kërkesave për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në këtë fushë qëndrojnë qëllime më të gjera politike. Në këtë kontekst, ai vlerësoi se në vend ekzistojnë forca që dëshirojnë që një ditë shteti të shndërrohet në konfederatë.
Maksim Dimitrievski, Lëvizja ZNAM
“Vazhdimisht shfaqen individë të caktuar që bëjnë thirrje për më shumë të drejta dhe bashkimin e komuniteteve lokale, por mbi baza etnike e jo territoriale. Për më tepër, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Bërvenicë, doli njëri nga ish-liderët e partive shqiptare dhe tha: ‘Është koha ta shpallim Iliridën’. Maqedonia nuk mund të jetë thjesht një formë e shtetit – republikë – nëse avancimin e të drejtave të caktuara të komuniteteve të tjera etnike, të cilat e shfrytëzojnë këtë të drejtë, e konsiderojnë si të drejtë kushtetuese që duhet ta komplikojë më tej shtetin”.
Studentët shqiptarë tash më dy vite po kërkojnë që, provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Në takimin e fundit që ata mbajtën me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari muajin e kaluar, ministri propozoi që 12 provimi të mbahen shqip dhe 2 maqedonisht ndërsa përpos gjuhës shqipe, të inkuadrohet edhe mundësia për dhënien e provimit në gjuhën angleze dhe turke, ndërsa propozimi do t’i dërgohet fillimisht Komisionit të Venedikut për mendim. Studentët nuk u ndanë të kënaqur nga ky takim dhe as nga propozimi.
Teuta Buçi /SHENJA/