Paraburgim prej 30 ditësh për Zhmiriqin dhe tetë të dyshuarit për keqtrajtimin e studentëve në Serbi
Gjykata në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Igor Zhmiriqin dhe tetë persona të tjerë, të dyshuar për keqtrajtimin dhe torturimin e studentëve dhe qytetarëve në garazhin e Qeverisë së Serbisë.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë natës mes 14 dhe 15 gushtit 2025. Sipas pretendimeve të hetimit, të dyshuarit, pjesëtarë aktualë dhe ish-pjesëtarë të Njësisë për Sigurimin e Personave dhe Objekteve pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, kanë qenë të përfshirë në incidentin ndaj studentëve.
Masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut të ndikimit te dëshmitarët dhe të pengimit të procedurës penale.
Kundër vendimit të gjykatës mund të paraqitet ankesë brenda afatit ligjor prej tri ditësh nga dita e pranimit të tij. Të dyshuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.