Janevska për dhunën mes bashkëmoshatarëve: Kujdesi për fëmijët nuk është vetëm detyrë e institucioneve, prindërit duhet të përfshihen

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, shprehu shqetësim për rastet e dhunës mes bashkëmoshatarëve në vend, duke theksuar se pavarësisht masave, fushatave dhe udhëzuesve të ndërmarrë, është vërejtur një rritje e brutalitetit dhe një apati shqetësuese te fëmijët, të cilët përmes filmimit dhe shikimit të incidenteve, de facto bëhen bashkëpjesëmarrës.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me rastin në Tetovë, në kuadër të panel-diskutimit “Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 – përparim dhe reforma”, Janevska prezantoi masat që Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë i ka zbatuar në shkolla.

“Më vjen keq që ende në Maqedoni ndodhin gjëra të tilla, edhe pse ne si ministri zhvillojmë një fushatë intensive kundër dhunës mes bashkëmoshatarëve. Janë përgatitur udhëzues për shkollat, është vendosur një sistem veprimi në rastet e dhunës mes nxënësve, për mësimdhënësit, shërbimet profesionale dhe drejtorët, është forcuar lidhja e sistemit arsimor me shërbimet sociale dhe MPB-në. Kemi dy fushata që po zhvillohen në media dhe kemi udhëzues edhe kundër dhunës kibernetike, e shumë masa të tjera”, deklaroi Janevska.

Ajo theksoi se është vendosur bashkëpunim me Odën e Psikologëve dhe se fokusi duhet të jetë edhe te mjedisi familjar.

“U përpoqëm të përfshijmë edhe prindërit, sepse ata janë një hallkë e rëndësishme. Procesi aty ecën pak më vështirë, por po punojmë edhe në drejtim të njohjes së hershme të shenjave te fëmijët që përjetojnë ndonjë formë dhune. Këtë e kemi lidhur edhe me dhunën në familje, sepse ekspertët thonë se një përqindje e madhe e dhunës mes bashkëmoshatarëve lidhet me dhunën familjare”, shtoi ministrja.

Në kuadër të hapave të propozuar, nga MASH është kërkuar që mësimdhënësit të jenë të pranishëm në korridoret dhe oborret e shkollave, ndërsa në procedurë parlamentare është edhe propozimi për gjobitjen e prindërve me 250 euro.

“Secili duhet të mbajë përgjegjësi për çdo veprim që ndërmerr. Edhe të miturit, pavarësisht se janë të mitur, por edhe prindërit e tyre duhet të kenë përgjegjësi. Këtë e kemi thënë shumë herë dhe të gjithë duhet të bëhen të vetëdijshëm se kujdesi për fëmijët është përgjegjësi e përbashkët. Nuk mund të lihet vetëm në duart e shkollave, shërbimeve sociale apo MPB-së”, theksoi Janevska, duke shtuar se fushatat dhe trajnimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo