Vlon te VLEN-i, thirrje për story foton e Bilallit dhe Izetit!

Ka momente në politikë kur një fotografi nuk publikohet vetëm për të përcjellë një mesazh, por për të bindur opinionin se gjithçka është në rregull. Pikërisht në ato raste lind pyetja nëse gjithçka është në rregull, pse lind nevoja për thirrje që funksionarët ta shpërndajnë të njëjtën fotografi në rrjetet sociale? shkruan Tetovasot

Sipas informacioneve që po qarkullojnë në opinion, brenda strukturave të VLEN-it është bërë thirrje që funksionarët dhe mbështetësit ta publikojnë në “Story” në Facebook dhe WhatsApp fotografinë e dy bashkëkryetarëve, Bilall Kasamit dhe Izet Mexhitit. Një veprim që, për shumëkënd, synon të japë një mesazh uniteti në një moment kur flitet për pakënaqësi dhe tensione të brendshme.

VLEN mbetet një rast i veçantë në skenën politike shqiptare, me dy bashkëkryetarë që ndajnë drejtimin e koalicionit. Megjithatë, në politikë, uniteti nuk ndërtohet me fotografi, por me besim, koordinim dhe vendimmarrje të përbashkët.

Rezultati i zgjedhjeve në Bërvenicë duket se ka hapur shumë pikëpyetje dhe ka lëkundur ekuilibrat e brendshëm. Humbja në një komunë ku ishte investuar shumë politikisht ka shtuar debatet për drejtimin e koalicionit dhe për strategjinë e tij në të ardhmen. Mbetet të shihet nëse këto zhvillime do të kenë ndikim edhe në raportet me partnerin qeverisës, VMRO-DPMNE-në e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili ishte angazhuar drejtpërdrejt në fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Bërvenicë.

Politika ka një gjuhë që nuk shkruhet në komunikata zyrtare. Ajo lexohet në gjestet, heshtjet dhe fotografitë. Ndonjëherë, pikërisht brenda një fotografie fshihet një heshtje e madhe. Një heshtje që nuk e dëgjon publiku, por e lexojnë vetë protagonistët dhe njerëzit pranë tyre.

Mbështetësit e çdo pushteti dëshirojnë vazhdimësi dhe stabilitet. Kjo është e kuptueshme. Por asnjë fotografi nuk mund të zëvendësojë realitetin politik dhe as të fshehë koston që sjellin mosmarrëveshjet e brendshme, nëse ato ekzistojnë.Tetovasot

Vlon te VLEN-i, thirrje për story foton e Bilallit dhe Izetit!

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo