BDI-Tetovë kërkon revizion të pavarur për parcelën te zjarrfikësit: Ku shkojnë 10 milionē eurot e tetovarëve? (VIDEO)

BDI-Tetovë kërkon revizion të pavarur  për parcelën te zjarrfikësit: Ku shkojnë  10 milionē eurot e tetovarëve? (VIDEO)

Këshilltarët e BDI-së në Komunën e Tetovës kanë reaguar para mbajtjes së debatit publik për Studimin e Fizibilitetit që lidhet me Stacionin e Zjarrfikësve, duke e cilësuar të gjithë procesin si një “farsë” dhe duke kërkuar revizion të plotë e të pavarur të studimit informon Tetovasot.

Sipas tyre, deri më tani janë paraqitur fakte që, siç pretendojnë, dëshmojnë për një skemë që do të dëmtonte pronën publike dhe interesin e qytetarëve të Tetovës.

“Kjo formë e debatit publik është vetëm teatër për të krijuar përshtypjen se po konsultohen qytetarët, ndërsa në prapavijë po përgatitet një projekt që dëmton interesin publik”, thuhet në reagimin e këshilltarëve të BDI-së.

Ata shprehin shqetësim edhe për klimën në të cilën zhvillohet debati, duke iu referuar pretendimeve për kërcënime ndaj kryetarit të Degës së BDI-së në Tetovë. Sipas tyre, në një atmosferë të tillë qytetarët nuk mund të shprehin lirshëm qëndrimet dhe kundërshtimet e tyre.

BDI kërkon që Studimi i Fizibilitetit t’i nënshtrohet një revizioni të pavarur nga kompani ndërkombëtare me reputacion, si Deloitte, ose kompani të tjera kredibile të pranishme në Maqedoninë e Veriut.

“Një kontroll i jashtëm do të tregojë nëse llogaritjet dhe alternativat e propozuara janë në interes të qytetarëve. Nëse Komuna nuk ka mjete për një revizion të tillë, ne jemi të gatshëm të angazhohemi për sigurimin e fondeve nga donatorë, në mënyrë transparente”, deklarojnë këshilltarët.

Ata theksojnë se, sipas tyre, nëse Komuna është e bindur se projekti është i drejtë dhe në interes publik, nuk duhet të ketë asnjë arsye të refuzojë një verifikim të pavarur.

Si alternativë, këshilltarët e BDI-së propozojnë ndërtimin e një qendre administrative në hapësirat e Kazermës së Qytetit, duke argumentuar se kjo do të bashkonte administratën komunale në një lokacion të vetëm, do të krijonte kushte më funksionale për punë dhe do të ndihmonte në lehtësimin e trafikut në qendrën e Tetovës.

Në fund, ata bëjnë thirrje që çdo vendim për projekte të tilla të merret përmes procedurave transparente, me prioritet mbrojtjen e interesit publik dhe jo interesat individuale./TS/

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo