Universiteti i Tetovës promovon angazhimin studentor në Platformën Ndërkombëtare për Demokraci dhe Paqe





Më 28 dhe 29 tetor 2026, studentë të Universitetit të Tetovës nga Fakulteti Pedagogjik dhe Fakulteti
Juridik, të shoqëruar nga Prof. Dr. Afet Mamuti, morën pjesë në platformën rinore “Thu’JE –
Platforma për Demokraci dhe Paqe”, e cila u zhvillua në qytetin e Elbasanit, në organizim të PVN
Albania dhe Bashkisë së Elbasanit.
Kjo ngjarje bashkoi të rinj, përfaqësues të institucioneve, studiues, akademikë dhe aktivistë nga
vende të ndryshme të rajonit, duke shërbyer si një hapësirë ndërveprimi dhe dialogu ndërmjet
brezave dhe aktorëve të ndryshëm shoqërorë. Përmes diskutimeve, prezantimeve dhe shkëmbimit të
përvojave, pjesëmarrësit trajtuan çështje që lidhen me demokracinë, paqen, përfshirjen shoqërore,
sfidat e zhvillimit dhe rolin e të rinjve në ndërtimin e së ardhmes së rajonit.
Një ndër kontributet e kësaj veprimtarie ishte edhe prezantimi i studentëve të Universitetit të
Tetovës, të cilët sollën në vëmendje çështjen e barazisë dhe përfshirjes së personave me aftësi të
kufizuara në tregun e punës, përmes projektit me temë: “Përfshirja e personave me aftësi të
kufizuara në punësim nuk është bamirësi, por e drejtë”. Përmes kësaj teme, studentët theksuan
rëndësinë e garantimit të mundësive të barabarta, eliminimit të barrierave dhe krijimit të një mjedisi
pune gjithëpërfshirës, ku punësimi trajtohet si e drejtë themelore dhe jo si akt bamirësie.
Në kuadër të programit, Prof. Dr. Afet Mamuti kontribuoi gjithashtu si panelist në diskutimin me
temë “Why Do We Leave? The Future We Leave Behind – Brain Drain and the Western Balkans”,
kushtuar emigrimit të të rinjve dhe profesionistëve, sfidave që lidhen me largimin e kapitalit
njerëzor dhe pasojave të këtij fenomeni për perspektivën zhvillimore të vendeve të Ballkanit
Perëndimor. Diskutimi vuri në fokus nevojën për krijimin e kushteve që të rinjtë të shohin të
ardhmen e tyre në vendet e origjinës, përmes mundësive më të mira për arsimim, punësim dhe
zhvillim profesional.
Universiteti i Tetovës vijon të mbështesë angazhimin aktiv të studentëve në platforma akademike,
rinore dhe ndërkombëtare, duke e konsideruar pjesëmarrjen e tyre në nisma të tilla si një dimension
të rëndësishëm të formimit universitar. Përmes këtyre përvojave, universiteti synon të nxisë
mendimin kritik, ndërgjegjësimin qytetar dhe përgjegjësinë shoqërore të studentëve, si dhe të
kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe rajonal.

Universiteti i Tetovës promovon angazhimin studentor në Platformën Ndërkombëtare për Demokraci dhe Paqe

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo