Mickoski: Nuk pranoj fraza boshe politike, lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë, ndërsa proceset për disa veprime të së kaluarës do të vijojnë

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në emisionin „Vetëm intervistë“ në televizionin Kanal 5, deklaroi se akuzat për korrupsion duhet të mbështeten me prova konkrete, në vend që të përdoren si fraza boshe politike, duke theksuar se Qeveria është e përkushtuar ndaj një lufte konkrete dhe pa kompromis kundër korrupsionit.

„Ku ka korrupsion? Ja le të na tregojnë, a keni ju dëshmi se ka korrupsion apo ai që thotë se ka. Cili është raporti i Komisionit Evropian ku thuhet se ka korrupsion? Ja tani do të kemi një raport të ri për përparimin e vendit, ja të presim dhe të shohim. Së dyti, ai që e ka denoncuar korrupsionin dhe ka qenë pjesë e procesit, pra ai që ka kërkuar ryshfet, është arrestuar. Nuk janë vetëm dy drejtorë, ka më shumë. Dhe do të ketë edhe të tjerë nëse vazhdojnë. Ja, edhe sot pati një aksion të tillë, i cili lidhet me luftën kundër korrupsionit. U parandalua kontrabanda e cigareve, e cila kishte zgjatur me dekada dhe ky është vetëm fillimi i hetimit. Në vijim do të dalin prova të tjera që lidhen me zyrtarë të lartë të disa prej qeverive të kaluara, të cilët janë marrë me kontrabandën e cigareve“, deklaroi ai.

Mickoski u bëri thirrje publike qytetarëve që të denoncojnë rastet e korrupsionit, duke paralajmëruar edhe bashkëpunim me një organizatë ndërkombëtare. Ai theksoi se secilit që denoncon korrupsionin do t’i garantohet diskrecioni, ndërsa secili për të cilin do të dëshmohet se është i korruptuar do të duhet të mbajë përgjegjësi.

„I ftoj publikisht qytetarët që, së shpejti do të mbajmë edhe një konferencë për shtyp me një organizatë ndërkombëtare, të denoncojnë publikisht rastet e korrupsionit aty ku ka të tilla, në mënyrë që të veprojmë. Nuk pranoj fraza boshe politike se gjoja ka korrupsion. Mirë, por hajde ta denoncojmë“, theksoi Mickoski, duke deklaruar se dëshiron të jetë personi i parë që e ka zhdukur korrupsionin.

„Unë jam kundërshtari më i madh i korrupsionit. Dua të jem njeriu që e ka zhdukur korrupsionin. Hajde të bashkohemi të gjithë edhe ata që thoni se e kanë shkruar këtë në raporte, në vend që të shkruajnë se ekziston dyshimi, le të japin prova. Unë ju garantoj diskrecion, nuk do t’ju mungojë asnjë fije floku, ndërsa ai që është i korruptuar do të përgjigjet“, u shpreh decid Mickoski.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo