AI zbulon thesaret e vjedhura/ Italia rikuperon vepra arti me vlerë mbi 203 milionë euro falë teknologjisë
Inteligjenca artificiale po revolucionarizon luftën kundër trafikut të veprave të artit. Në Itali, një sistem i përdorur nga karabinierët ka ndihmuar në rikuperimin e mbi 165 mijë objekteve të vogla dhe më shumë se 300 pikturave e skulpturave të vjedhura, me vlerë të përgjithshme mbi 203 milionë euro. Teknologjia arrin të identifikojë edhe veprat e modifikuara qëllimisht për të fshehur origjinën e tyre.
Inteligjenca artificiale po kthehet në një armë të fuqishme kundër trafikut ndërkombëtar të veprave të artit. Në Itali, një sistem i ri teknologjik ka ndihmuar policinë të rikuperojë objekte të vjedhura me vlerë mbi 203 milionë euro.
I quajtur SWOADS, sistemi përdoret nga karabinierët italianë për të identifikuar piktura, skulptura dhe objekte historike të zhdukura prej dekadash.
Që nga nëntori i vitit 2023, teknologjia ka ndihmuar në gjetjen e mbi 300 pikturave dhe skulpturave, si dhe më shumë se 165 mijë objekteve të vogla, përfshirë monedha, medalje dhe dorëshkrime.
Një nga rastet më të veçanta u zbulua në një panair antikuaresh në Parma, në tetor të vitit 2024.
Policët fotografuan një pikturë që paraqiste një grua të re me një pergamenë në dorë. Vetëm pak orë më vonë, inteligjenca artificiale dha alarmin.
Hetimet zbuluan se bëhej fjalë për një pikturë të shekullit XVII, që paraqiste Shën Anjezën, të vjedhur nga një kishë në Sulmona në vitin 2004.
Për ta fshehur origjinën, autorët kishin ndryshuar pamjen e veprës, duke zëvendësuar qengjin me një pergamenë dhe duke fshirë simbolet fetare.
Megjithatë, algoritmi arriti të identifikonte ngjashmëritë në ngjyra, forma dhe kompozim.
Sistemi kontrollon vazhdimisht edhe platformat e shitjeve në internet, katalogët e ankandeve dhe rrjetet sociale.
Në vitin 2026, falë kësaj teknologjie, policia italiane gjeti edhe një pikturë të artistit Filippo Palizzi, të vjedhur në vitin 1972 dhe të nxjerrë në shitje në një faqe ankandesh.
Ekspertët theksojnë se inteligjenca artificiale nuk zëvendëson hetuesit, pasi identifikimi përfundimtar dhe rikuperimi i veprave kërkojnë verifikime profesionale dhe procedura ligjore.
Megjithatë, teknologjia po ndryshon mënyrën se si autoritetet luftojnë një nga format më fitimprurëse të trafikut të paligjshëm të trashëgimisë kulturore.