Skandal me operacionet e syve në Maqedoni: 4.25 milionë euro përfitim i dyshuar, 4.000 pacientë të dëmtuar dhe 8 të arrestuar! Ja kush janë
Sot (29.10.2026), nga ana e zyrtarëve policorë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë MPB-së, në koordinim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, është realizuar një aksion policor në kuadër të një hetimi për dyshime për veprime të paligjshme që lidhen me operacionet e syve.
Gjatë aksionit është shkatërruar një grup kriminal, pjesë e të cilit janë ish-funksionarë dhe funksionarë aktualë të Fondit për Sigurim Shëndetësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të aksionit, bazuar në urdhrat e siguruar paraprakisht nga Gjykata Themelore Penale, janë kryer bastisje në disa lokacione në Shkup dhe nga një lokacion në Tetovë dhe Kumanovë. Tetë persona janë privuar nga liria, ndërsa gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar para në vlerë prej rreth 50.000 eurosh dhe telefona celularë.
Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë MPB-së ka dorëzuar në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kallëzim penal kundër 11 personave fizikë, prej të cilëve një shtetas shqiptar, si dhe një personi juridik.
Kallëzimi penal është ngritur kundër:
D.D. (60) nga Shkupi, O.R. (66) nga Tetova dhe S.B. (59) nga Shkupi për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” (neni 353, paragrafi 5), në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal.
R.A. (45) nga Kumanova për veprën penale “Punë e pakujdesshme në shërbim” (neni 353-v, paragrafi 3), në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal.
Z.A. (35) nga Shkupi për veprën penale “Falsifikim ose shkatërrim i librave afaristë” (neni 280) të Kodit Penal.
V.Ќ. (47) nga Shkupi, S.A. (40) nga Shkupi dhe G.A. (33) nga Republika e Shqipërisë për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” (neni 353, paragrafi 3), në lidhje me nenin 45, si dhe “Mashtrim në shërbim” (neni 355) të Kodit Penal.
C.S. (47) nga Shkupi, Ž.S. (58) nga Shkupi dhe I.P. (49) nga Shkupi për veprën penale “Punë e pakujdesshme në shërbim” (neni 353-v, paragrafi 2), në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal.
Ndërsa ndaj institucionit privat shëndetësor nga Shkupi është ngritur kallëzim penal për veprën “Pastrimi i parave dhe përfitimeve të tjera nga vepra penale” (neni 273, paragrafi 12), në lidhje me nenet 22 dhe 45 të Kodit Penal.
Sipas pretendimeve në kallëzimin penal, dy drejtorë të atëhershëm të Fondit për Sigurim Shëndetësor, në vitin 2020, së bashku me një përfaqësues të institucionit privat shëndetësor, kanë lidhur një marrëveshje në kundërshtim me procedurat e përcaktuara dhe aktet e brendshme të Fondit.
Kryetari i Bordit Drejtues dyshohet për parregullsi gjatë miratimit të kësaj marrëveshjeje.
Në bazë të marrëveshjes, përmes futjes së të dhënave të pavërteta në sistemin elektronik të Fondit dhe përpilimit të faturave me përmbajtje të rreme, institucioni shëndetësor dyshohet se ka faturuar të njëjtat shërbime si ndaj Fondit, ashtu edhe ndaj pacientëve.
Pacientëve, përveç pjesëmarrjes ligjore në pagesë, u është faturuar edhe çmimi privat për operacionet, ndërsa u është fshehur fakti se shërbimet paguheshin edhe nga Fondi për Sigurim Shëndetësor.
Drejtori i raportuar i Sektorit për Kontroll dyshohet se nuk i ka dorëzuar raportet për parregullsitë e konstatuara te komisioni kompetent dhe ka shtyrë zbatimin e kontrolleve të rregullta, duke shmangur kështu shqiptimin e gjobave shtesë kontraktuale dhe mundësinë e ndërprerjes së marrëveshjes.
Dy udhëheqëse të Shërbimit Rajonal në Shkup dyshohet se nuk e kanë ndjekur arkëtimin e gjobave të shqiptuara dhe nuk i kanë njoftuar shërbimet kompetente, për shkak të së cilës pagesat ndaj institucionit kanë vazhduar pa u zbritur borxhet, njofton TS
Ekzistojnë gjithashtu dyshime se paratë e paguara nga Fondi për Sigurim Shëndetësor, për të cilat personat e autorizuar në institucion e kanë ditur se burojnë nga vepra penale, janë futur në qarkullimin financiar, janë regjistruar në llogari të ndryshme kontabël dhe janë përdorur për paga, furnizime dhe pagesa të tjera.
Sipas kallëzimit penal, dëmi ndaj buxhetit të Fondit për Sigurim Shëndetësor arrin në 104.818.754 denarë, përkatësisht rreth 1,7 milionë euro, për pagesat e kryera në bazë të faturave fiktive, si dhe 525.000 denarë shtesë për gjobat kontraktuale të paarkëtuara.
Ekzistojnë dyshime se gjatë periudhës 2022–2025, institucioni shëndetësor është përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej 261.271.961 denarësh, përkatësisht rreth 4,25 milionë euro.
Sipas kallëzimit penal, nga faturimi i dyfishtë janë dëmtuar nga 3.000 deri në 4.000 pacientë.