NË KUJTIM TË NURIMAN ABDURAHMANIT – KURBETÇARIT, ATDHETARIT DHE HUMANISTIT

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të bashkatdhetarit tonë, Nuriman Abdurahmani, i cili u nda nga jeta më 26 tetor 2026, në Danimarkë.

Axha Nuriman i përkiste gjeneratës së parë të kurbetçarëve shqiptarë. Në vitin 1969, ai mori rrugën e mërgimit, në kërkim të një jete më të mirë për familjen e tij. Ishin kohë të vështira, kur shqiptarët në ish-Jugosllavi, përveç halleve të rënda ekonomike, përballeshin edhe me presione dhe padrejtësi politike.

Duke lënë pas vendlindjen e tij, Meletinën e Tetovës, me lot në sy e dhimbje në shpirt, axha Nuriman u vendos në Danimarkë, ku një jetë të tërë punoi me ndershmëri dhe dinjitet. Megjithatë, as largësia dhe as vitet e mërgimit nuk e shkëputën kurrë nga hallet dhe aspiratat e popullit të tij.

Ai ishte i pranishëm në aktivitetet kulturore, humanitare dhe kombëtare të komunitetit shqiptar në Danimarkë. Krahas pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në protesta dhe demonstrata për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, kontribuoi edhe financiarisht, duke dëshmuar përkushtimin e tij të palëkundur ndaj çështjes kombëtare.

Një ndër kontributet më të veçanta të tij ishte mbështetja për themelimin e Universitetit të Tetovës në vitin 1994. Ai bëri maksimumin për ta ndihmuar këtë vatër të dijes dhe arsimit shqip, duke grumbulluar shuma të konsiderueshme financiare nga bashkatdhetarët dhe duke mos kursyer as mjetet e veta personale. Qëllimi i tij ishte që Universiteti i Tetovës të mbijetonte dhe të vazhdonte misionin e tij në shërbim të arsimit dhe kombit shqiptar.

Mjetet e grumbulluara për këtë qëllim, axha Nuriman i dorëzoi personalisht në duart e themeluesit dhe rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, tani të ndjerit, profesor Fadil Sulejmani.

Një tjetër dëshmi e humanizmit të tij ishte ndihma e dhënë pas luftës së vitit 2001 në Maqedoni.

Sllupçani heroik i Kumanovës dhe popullata shqiptare e asaj ane, të goditur rëndë nga lufta, masakrat dhe pasojat e tyre, u përballën me një gjendje të mjerueshme ekonomike, duke pasur nevojë edhe për gjërat më elementare të jetesës.

Në ato rrethana të rënda, axha Nuriman nuk qëndroi duarkryq. Me zemër të madhe dhe ndjenjë të thellë solidariteti, ai u doli në ndihmë familjeve të dëmtuara, duke organizuar dërgimin e kamionëve të tërë, të ngarkuar me miell dhe dru për ngrohje. Kjo ndihmë ishte një dorë e shtrirë në ditët më të vështira për njerëzit që, përveç pasojave të rënda të luftës, po përballeshin edhe me skamje të skajshme.

Këto vepra dëshmojnë për shpirtin e tij fisnik, dashurinë për atdheun dhe solidaritetin e pakursyer me bashkëkombësit. Axha Nuriman nuk ishte thjesht një kurbetçar që jetoi e punoi larg vendlindjes, por një atdhetar që dashurinë për kombin e dëshmoi me vepra konkrete.

Pas vetes la djemtë Nagipin, Naipin e Nebiun dhe vajzën Eminën, të cilët sot përjetojnë dhimbjen e madhe të humbjes së babait të tyre të dashur. Ata mund të jenë krenarë për jetën dhe veprën e tij, për emrin e mirë që la pas dhe për gjurmët e pashlyeshme që la në mesin e bashkatdhetarëve.

Familjes Abdurahmani dhe të gjithë të afërmve u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta.

Zoti e shpërbleftë me një kopsht të posaçëm në Xhenet!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!

Havzi Sulejmani – Xhaxhi
Kopenhagë, 29 tetor 2026

NË KUJTIM TË NURIMAN ABDURAHMANIT – KURBETÇARIT, ATDHETARIT DHE HUMANISTIT

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo