Tubimi i presidentit amerikan Donald Trump në Ohio u ndërpre të mërkurën nga dy protestues të ndryshëm, të cilët ngritën çështje që lidhen me të ndjerin Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale, transmeton Anadolu.
MARKETING
Një protestues ndërpreu fjalimin e Trumpit pak minuta pas fillimit të tubimit, duke thirrur: “Trump ka udhëtuar me avionin e Jeffrey Epsteinit!”. Turma reagoi me thirrje kundërshtuese ndërsa presidenti iu përgjigj ndërprerjes.
Trump pohoi se e kishte përjashtuar Epsteinin nga klubi i tij “Mar-a-Lago” në shtetin e Floridës më shumë se dy dekada më parë. “E nxora Jeffrey Epsteinin nga një klub para 25 vitesh, sepse mendova se ishte një njeri i çmendur. Ishte një gjë shumë e mirë ajo që bëra”, tha ai.
Trump mohoi që Epsteini të ketë udhëtuar ndonjëherë me të dhe u përpoq ta lidhte financierin me demokratët. “Ai nuk ka udhëtuar kurrë me mua. E dini me kë udhëtonte? Me të gjithë miqtë e demokratëve. Ai ishte demokrat”, tha ai.
Trump gjithashtu pretendoi se ishte “plotësisht i shfajësuar” në lidhje me Epsteinin. Më pas, ai i akuzoi protestuesit se ishin “protestues të paguar” dhe “dështakë”.
Këto ndërprerje ndodhën në një kohë kur vazhdojnë thirrjet publike për publikimin e dokumenteve që lidhen me Epsteinin, i cili u arrestua në vitin 2019 nën akuza federale për trafikim seksual dhe vdiq po atë vit në një burg të Nju Jorkut, ndërsa priste gjyqin. Vdekja e tij u klasifikua si vetëvrasje.
Në dosjet e çështjes që u bënë publike përmenden figura të njohura, përfshirë Trumpin, Bill Clintonin, Bill Gatesin dhe Princin Andrew. Megjithatë, përmendja e emrave të tyre nuk nënkupton domosdoshmërisht kryerjen e ndonjë veprimi të paligjshëm.