”Punoni fort edhe kur s’ju sheh askush”, Kane emocionon me fjalët e tij të para si fitues i Topit të Artë
Harry Kane ka fituar Topin e Artë 2026 për herë të parë në karrierën e tij, ndërsa pas marrjes së çmimit prestigjioz, sulmuesi anglez ka falënderuar klubin e tij aktual, ish-klubin Tottenham, familjen dhe bashkëshorten.
“Është nder të luaj për Bayern Munichun. Është privilegj të luash për këtë klub futbolli. Jam i lumtur që po e kthej këtë trofe në Mynih. Ky çmim është për të gjithë bashkëlojtarët e mi te kombëtarja e Anglisë”, u shpreh Kane.
Ai nuk e harroi as Tottenham Hotspur, klubin ku kaloi pjesën më të madhe të rinisë së tij dhe ku nisi rrugëtimin drejt majave të futbollit botëror.
“Dua ta falënderoj Tottenhamin. Isha atje që nga mosha 11-vjeçare. Ma mundësuat ta jetoj ëndrrën time. Pa Tottenhamin dhe pa atë rrugëtim, nuk do ta përjetoja këtë moment”, tha sulmuesi anglez.
Kane pati fjalë të veçanta edhe për prindërit e tij, të cilët e mbështetën gjatë gjithë karrierës.
“Dua t’i falënderoj nënën dhe babanë tim. Më keni shoqëruar në të gjithë Anglinë. Nuk më keni bërë kurrë presion dhe më keni mundësuar të kem sukses. Ju dua”, deklaroi ai.
Në fund, emocionet më të veçanta i ruajti për bashkëshorten e tij, të cilën e cilësoi si shoqen e tij më të mirë dhe një nga mbështetëset më të mëdha në rrugëtimin drejt këtij çmimi.
“Për bashkëshorten time, ti je shoqja ime më e mirë. Ti e ke dashur këtë çmim më shumë se unë. Kemi kaluar momente të mira dhe të vështira, por ia dolëm. Gjithmonë ke dashur më të mirën për mua dhe ke bërë sakrifica për ëndrrat e mia. Kjo nuk do të ishte e mundur pa ty”, u shpreh Kane.
Ai e përfundoi fjalimin me një mesazh motivues për të gjithë ata që synojnë të arrijnë majat.
“Gjithçka ka të bëjë me rrugëtimin. Gjithçka është e mundur. Punoni fort edhe kur askush nuk ju sheh”, përfundoi fituesi i Topit të Artë 2026.