Pronari i televizionit pro Vuçiç pretendon se protestuesit tentuan t’i vënë zjarrin redaksisë: “Për pak më vranë”

Kryeredaktori dhe pronari i Informer, Dragan J. Vuçiçeviq, iu drejtua publikut pasi një grup qytetarësh hyri mbrëmjen e kaluar në redaksinë e televizionit në Beograd. Protestuesit ishin mbledhur më parë para ndërtesës, ndërsa mes tyre ishte edhe Dijana Hrka, nëna e të riut që humbi jetën nga shembja e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad.
Sipas raportimeve të mediave, protesta u zhvillua për shkak të mënyrës se si Informer kishte raportuar për Hrkan, djalin e saj dhe studentët. Brenda redaksisë pati debat dhe shtyrje mes palëve.
Në prononcimin e tij, Vuçiçeviq pretendoi se protestuesit kishin tentuar t’i vinin zjarrin ndërtesës, se për pak e kishin vrarë dhe se kishin dëmtuar një pjesë të pajisjeve. Megjithatë, pretendimet për tentativë zjarrvënieje, një automjet të mbushur me benzinë dhe një kërcënim të pretenduar nga Hrka nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
“E sulmuan televizionin Informer, tentuan t’i vinin zjarrin ndërtesës dhe për pak më vranë. Po të mos ishte filmuar gjithçka nga kamerat, do të më kishin vrarë fjalë për fjalë”, deklaroi ai në fillim të prononcimit.
“Shikime kaq të tmerrshme nuk kam parë kurrë në jetën time. Thonë se janë studentë, por unë aty nuk pashë asnjë student. Po të mos kishte reaguar policia me vonesë, do të na kishin djegur. Pranë ndërtesës gjetëm një automjet të mbushur me benzinë”, shtoi Vuçiçeviq.