Ligjëratë ndërgjegjësuese në SHMK “7 Marsi” në Tetovë: Nxënësit informohen për luftën kundër kancerit të gjirit
Në amfiteatrin e madh të SHMK “7 Marsi” në Tetovë u mbajt një ligjëratë ndërgjegjësuese kushtuar Muajit Rozë, me fokus ngritjen e vetëdijes për kancerin e gjirit dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm informon Tetovasot.
Para një numri të madh nxënësish u prezantuan informacione mbi aspektin biologjik dhe psikologjik të sëmundjes, faktorët e rrezikut, mënyrat e parandalimit, si dhe rëndësia e mbështetjes emocionale për gratë që përballen me këtë diagnozë.
Ligjërata u përgatit dhe u realizua nga profesorja e biologjisë Shpresa Ceka dhe psikologia Makfire Sherifi, të cilat theksuan se edukimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve janë hapa të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie më të informuar dhe më të përgjegjshme ndaj shëndetit.
Në fund të aktivitetit u përcoll mesazhi se kontrollet e rregullta, kujdesi për shëndetin dhe solidariteti me personat e prekur janë armët më të forta në luftën kundër kancerit të gjirit, duke i inkurajuar nxënësit që ta shpërndajnë këtë mesazh edhe në familjet dhe komunitetin e tyre.








