Rama shpjegon masat kundër dhunës: Gjobë deri në 500 mijë lekë kush qëndron në tubim, për të miturit mbi 14 vjeç paguajnë prindërit
Kryeministri Edi Rama bëri këtë paradite një prezantim të paketës së re ligjore kundër “dhunës dhe anarkisë urbane”, siç e quan ai. Në to parashikohen ndryshime të reja për tubimet, të cilat do të vendosin një perimetër sigurie rreth objekteve të ndjeshme dhe mundësinë që policia të kufizojë tubimet deri në 72 orë pranë institucioneve arsimore, shëndetësore apo objekteve të kultit.
Rama prezantoi gjashtë pikat e kësaj pakete ligjore të cilat janë; Një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël; Një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve; Disa ndryshime në ligjin për tubimet; Një regjistër elektronik i posaçëm për dhunuesit urbane; Një ndryshim në kodin e etikës së mësuesve; Disa propozime për ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Për personat që bëjnë thirrje për dhunë në rrjetet sociale, fillimisht do të kërkohet fshirja e postimit dhe do të ofrohet mbështetje psikologjike nëse është e nevojshme. Në rast refuzimi, policia mund të nisë procedimin penal sipas veprave ekzistuese. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu trajtimin si vepër penale të fshehjes së identitetit gjatë tubimeve, sipas modelit francez.
Për mosbindje ndaj policisë parashikohen gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë, ndërsa për pjesëmarrje në tubim pas urdhrit për shpërndarje gjoba shkon në 500 mijë lekë. Bllokimi i qarkullimit do të ndëshkohet me 5 mijë lekë gjobë për çdo pjesëmarrës.
“Me durim dhe me vendosmëri përballë dhunuesve, të cilët nuk kanë asnjë shans t’i diktojnë Shqipërisë sallatën e prishur të një matufi që e ka katandisur PD-në në një maskë dhune, të ekstremistëve të ANTIFA-s që glorifikojnë dhunën kudo në Europë dhe duart e huaja që nuk e duan Shqipërinë në Bashkimin Europian, e që nxisin maskat që pretendojnë se përfaqësojnë studentë, por që në fakt, më shumë sesa studentë përfaqësojnë edhe vetë krimin e organizuar.
Dhe nga ana tjetër, me adresim, me adresim të kërkesës legjitime të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, të cilët me plot të drejtë presin më shumë drejtësi në rishpërndarjen e të ardhurave nga rritja e ekonomisë dhe më shumë garanci në shkallën e meritës në punë.
Buxheti i vitit 2027, të cilin do ta prezantojmë në ditët e para të javës që vjen; vjen me plot risi pozitive në drejtim të pikërisht familjeve të zakonshme, të shërbimeve për qytetarët dhe të rinjve e studentëve po ashtu.
Pas një pune intensive në bashkëpunim me ekspertë europianë, si dhe në koordinim të ngushtë me partnerët italianë e francezë, duke u mbështetur në modelin e adaptuar prej tyre përballë të njëjtës flamë antidemokratike, bazuar gjithashtu në jurisprudencën e Gjykatës Europiane, kemi gati paketën ligjore të masave kundër dhunës dhe anarkisë urbane.
Kjo paketë ligjore ka një bazë parimore shumë të qartë: protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari.
Çdo masë e propozuar është përputhur me nenin 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 11 të Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut, jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për lirinë e tubimit paqësor.
Përgjithësia është gjithmonë vetjake, masat e mundshme kufizuese janë të përkohshme dhe të arsyetuara, çdo kufizim i rëndësishëm është i kontrollueshëm nga gjykata.
Paketa përbëhet nga gjashtë instrumente që plotësojnë njëri-tjetrin:
Një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël.
Një ligj i posaçëm për riparimin e dëmeve.
Disa ndryshime në ligjin për tubimet.
Një regjistër elektronik i posaçëm për dhunuesit urbanë.
Një ndryshim në kodin e etikës së mësuesve.
Disa propozime për ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Instrumenti i parë: Akti normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të biznesit të vogël. Ky akt vjen si mbështetje e menjëhershme financiare për ata që u dëmtuan nga thyerjet, grabitjet, zjarrin. Me këtë akt shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për më të vegjlit deri te minimumi 70% për më të mëdhenjtë, natyrisht në bazë kriteresh të mirëpërcaktuara dhe gjithnjë brenda fashës së bizneseve me xhiron vjetore deri në 140 000 euro.
Kështu bizneset të cilat i kanë depozituar tanimë aplikimet e tyre, bashkangjitur dokumentacionin e dëmeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Mbi parimin e thjeshtë, kush shkakton dëm, e paguan. Ku bara nuk bie më ekskluzivisht mbi taksapaguesit dhe buxhetin e shtetit si deri më sot.
Ligji zatohet për të gjitha tubimet në vende publike të njoftuara, të ndaluara ose spontane, përfshirë grumbullimet sportive, kulturore dhe festive ku vijnë si pasojë dëme materiale, mbi pronën publike apo private.
Natyrisht, pa asnjë dyshim, askush nuk paguan dëmin pse ka protestuar apo ka qenë i pranishëm në një grumbullim të çfarëdo natyre.
Kjo përgjegjësi për të paguar dëmin e shkaktuar lindi vetëm nga sjellja vetjake e personit. Dhe ky ligj nuk e kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes.
Por ama nga ana tjetër, çdo person që merr pjesë në një tubim të dhunshëm dhe nuk largohet pas paralajmërimit të policisë, do të përgjigjet financiarisht.
Pra, kush zgjedh të vazhdojë të qëndrojë në një turmë apo në një grup, duke ditur që për rreth tij po gjuhet me gurë, po digjet me zjarr, po thyehet dhe po shkatërrohet, do të përgjigjet administrativisht përmes gjobës, bashkë me ata që i kryejnë veprimet e dhunshme dhe gjoba do të shkojë deri në 500 000 lekë të reja.
Përjashtohen sigurisht nga ky rregull gazetarët, mjekët, vëzhguesit, punonjësit në detyrë apo kalimtarët e rastësishëm.
Për pjesëmarrjen e të miturve mbi 14 vjeç në një protestë të dhunshme, këtë gjobë do ta paguajnë prindërit ose kujdestarët, sipas parashikimeve ligjore të Kodit Civil, dhe kjo gjobë është titull ekzekutiv që hyn në fuqi menjëherë.
Instrumenti i tretë: Ndryshimet në ligjin për tubimet
Ligji për tubimet është i vitit 2001. Ai nuk parashikon asgjë për mjetet e teknologjisë digjitale që sot janë bërë një komponent themelor i protestave.
Ndryshimet i japin policisë kapacitete parandaluese për vendet publike dhe më të ndjeshme, afërsisë reaguese ndaj fenomenit të thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale dhe mundësi sanksionesh, të cilat aktualisht janë krejt simbolike krahasimisht me masat që sot vendet e tjera europiane kanë marrë dhe po marrin në përgjigje të këtij realiteti të ri dhune dhe anarkie urbane.
Perimetrat e sigurisë rreth objekteve të ndjeshme: Kur ka rrezik real dhe të afërt dhune, policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë në një perimetër të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, objekteve të kultit dhe trashëgimisë kulturore.
Thirrjet për dhunë në rrjetet sociale: Kur identifikon një thirrje për dhunë në kuadër të një tubimi, policia i dërgon mbajtësit të llogarisë një njoftim për fshirjen e postimit menjëherë dhe për mos përsëritjen e tij, duke i ofruar dhe mbështetje psikologjike kur ky i fundit ka nevojë. Nëse postimi nuk fshihet ose sjellja përsëritet, policia vepron sipas legjislacionit në fuqi.
Identifikimi i personave të maskuar: Fshehja e identitetit në protestë do të ndëshkohet penalisht, njësoj si në 27 vende europiane, duke ndjekur modelin francez.
Sanksionet
Pjesëmarrja në tubim pa leje: Gjobitet nga 10 000 deri në 100 000 lekë të reja.
Mosbindja ndaj urdhrit për shpërndarje dhe fshehja e identitetit: Gjobiten deri në 500 000 lekë të reja.
Bllokimi i qarkullimit: Gjobitet me 5 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës.
Instrumenti i katërt: Regjistri i posaçëm elektronik
Ky regjistër administrohet nga Policia e Shtetit dhe përmban të dhënat e identifikimit të këtyre personave. Mbi bazën e këtij regjistri, policia kufitare do të ushtrojë për çdo dhunues të drejtën që i jep ligji për kontrollin e kufirit shtetëror për t’u refuzuar daljen nga vendi personave që synojnë t’i shmangen ndjekjes penale, ndalimit, arrestimit ose ekzekutimit të dënimit me burg.
Instrumenti i pestë: Kodi i etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar
Shkolla duhet të mbetet hapësirë e sigurt për fëmijët. Mësuesit do të pezullohen ose largohen nga detyra kur shfrytëzojnë autoritetin për të nxitur, organizuar ose koordinuar pjesëmarrjen e nxënësve nën 18 vjeç në tubime, në kundërshtim me interesin më të lartë të fëmijës.
Instrumenti i gjashtë: Ndryshimet në Kodin Penal
Ndryshimet në Kodin Penal ndjekin praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Europian (veçanërisht Francës dhe Italisë) dhe mbështeten në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut. Dënohet kush rrezikon publikisht, edhe në rrjetet sociale, për dhunë apo shkatërrim gjatë një tubimi. Dënimi rëndohet kur dhuna drejtohet ndaj shkollave, institucioneve apo shërbimeve publike. Kanosja online dhe thirrjet për dhunë dënohen si vepra penale më të gjëra”, tha Rama.