Paga më e lartë në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2025 ishte pak më pak se 190 mijë euro bruto në muaj, tregon raporti i Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP). Bëhet fjalë për një pagë të paguar në sektorin e nxjerrjes së qymyrit. Në nivel vjetor, kjo pagë tejkalon 2.2 milionë euro dhe është rreth 2% më e lartë se paga më e lartë e vitit paraprak, përcjell TV21. Të pesë pagat më të larta në vend kalojnë 2 milionë euro bruto në vit dhe të gjitha janë paguar në Shkup. Ato janë në sektorët e farmacive, tregtisë me duhan, ushqime dhe pije, spitaleve dhe tregtisë me produkte farmaceutike.
Të ardhurat më të larta jashtë pagës, të deklaruara si të ardhura shtesë, i ka realizuar një banor i Shkupit, i cili vitin e kaluar ka inkasuar pak më pak se 2 milionë euro bruto në nivel vjetor. Në pesëshen e parë janë edhe tri të ardhura vjetore që kalojnë një milion euro, si dhe një tjetër prej 42 milionë denarësh. Të ardhurat më të larta nga dividentët i ka deklaruar një banor i Gjevgjelisë, i cili vitin e kaluar ka marrë mbi 4 milionë euro. Një shumë të ngjashme ka deklaruar edhe një banor i Ohrit.
Sipas raportit të DAP-it, vitin e kaluar janë përgatitur 863.100 deklarata vjetore tatimore, rreth 83 mijë më shumë se në vitin 2024, që paraqet rritje prej 10,6%. Të ardhurat bruto të përcaktuara janë rritur për 74,1 miliardë denarë, ose 13,8%, ndërsa tatimi i përcaktuar mbi të ardhurat personale është rritur për 4,9 miliardë denarë, përkatësisht 13,9%.