Mickoski: Bullgaria mund të bëhet strehë për kriminelët duke e keqpërdorur rastin e Mihaillovës

Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, në intervistë për „Klik Plus“ në TV21, duke folur për rastin e Iva Mihaillovës dhe babait të saj, theksoi se Bullgaria mund të bëhet strehë për kriminelët që do ta keqpërdorin këtë rast, përkatësisht Bullgaria mund të bëhet alibi për kriminelët e dënuar, të cilët do të nxjerrin pasaporta bullgare për t’u strehuar atje.

Kryeministri Mickoski shtoi se Mihailova e ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe se nuk ka asnjë të vërtetë në atë që ka deklaruar avokati i saj, MPB-ja po e heton rastin dhe së shpejti do të merren përgjigjet, por ajo që shqetëson është veprimi i koordinuar i opozitës maqedonase dhe mediave bullgare me qëllim që t’i shkaktojnë dëm Qeverisë.

„Ata krijojnë të njëjtën tezë, nëse vëreni, mediat proqeveritare atje dhe opozita jonë maqedonase, çfarë kanë të përbashkët? Teza e përbashkët është se kjo është bërë me marrëveshje. Mirë, ja, nëse është bërë me marrëveshje, tani ka fletarrest ndërkombëtar, ju lutem, dorëzojini. Sepse kemi fletarrestim ndërkombëtar. Nëse nuk i dorëzojnë, kjo do të thotë se teza e tyre nuk është e vërtetë. Kjo do të thotë se ajo është dërguar në Bullgari në mënyrë të paligjshme“, deklaroi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se për këtë rast do të bisedohet me partnerët ndërkombëtarë, sepse një partner yni në NATO po bëhet strehë për kriminelët dhe mund të bëhet edhe alibi për kriminelët e tjerë që do të arratisen ilegalisht atje duke kërkuar strehim.

„Ne kemi biseduar me partnerët tanë ndërkombëtarë, kjo do të ngrihet edhe në takimet me Aleancën e NATO-s, sepse një partner yni në NATO sot është strehë për kriminelët e dënuar dhe presim që në afatin më të shkurtër ata t’i dorëzohen drejtësisë. Gjithashtu, kjo do të ngrihet edhe te partnerët tanë në Bashkimin Evropian. Nuk do të doja që një kriminel i dënuar të jetë arsye për moszbatimin e drejtësisë, nuk do të doja të besoja se udhëheqja aktuale politike e fqinjit tonë lindor do të jetë alibi që kriminelët e dënuar nga vendi të nxjerrin pasaporta bullgare dhe përmes kalimeve ilegale kufitare të arratisen dhe të kërkojnë strehim atje“, theksoi Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se ka forca politike që prisnin një reagim emocional nga ana jonë, por kjo nuk po ndodh, përkundrazi, ne reagojmë jashtë pritjeve të tyre, i ftojmë të ulemi në tryezë për të gjetur zgjidhje për problemet, ndërsa Iva dhe babai i saj, herët a vonë, do të mbajnë përgjegjësi.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo