“Ju lutemi, na ndihmoni!” – Përmbytjet në Turqi bllokojnë aktoren dhe këngëtarin e njohur (VIDEO)

Reshjet e dendura të shiut në Stamboll u kthyen në momente ankthi për këngëtarin Murat Boz dhe aktoren Demet Özdemir, të cilët mbetën të bllokuar në studiot Phoenix, pasi zona u përfshi nga përmbytjet.

Pamjet e evakuimit të dy yjeve turq kanë tërhequr vëmendjen, teksa ekipet e shpëtimit u detyruan të ndërhynin me gomone për t’i nxjerrë nga ndërtesa.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e Ayazağa-s, në lagjen Sarıyer, ku niveli i ujit raportohet se arriti rreth dy metra. Përmbytjet përfshinë edhe ambientet e studios, ndërsa ndërprerja e energjisë elektrike e bëri situatën edhe më të vështirë për personat që ndodheshin brenda.

Murat Boz dhe Demet Özdemir iu drejtuan rrjeteve sociale për të kërkuar ndihmë. Këngëtari zhvilloi një transmetim të drejtpërdrejtë, përmes të cilit tregoi përmasat e situatës dhe bëri të ditur se brenda studios ndodheshin rreth 200-250 persona.

Edhe aktorja publikoi një mesazh shqetësues, duke kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve. “Uji po ngrihet në ndërtesën ku ndodhemi, ju lutemi na ndihmoni”, shkroi Özdemir.

Pas thirrjeve për ndihmë, ekipet e emergjencës nisën operacionin e shpëtimit. Për shkak të nivelit të lartë të ujit dhe vështirësive për të mbërritur në zonë nga toka, evakuimi u realizua me gomone.

Në pamjet e publikuara shihet momenti kur Demet Özdemir nxirret nga zona e përmbytur, ndërsa pjesëtarët e ekipeve të shpëtimit e ndihmojnë të zbresë në një vend të sigurt.

Ndërkohë, edhe Murat Boz njoftoi përmes rrjeteve sociale se kishte nisur evakuimi. “Po evakuohemi”, shkroi këngëtari në një prej postimeve të tij, duke konfirmuar se operacioni për nxjerrjen e personave të bllokuar ishte vënë në lëvizje.

Pamjet e shpëtimit të dy personazheve të njohur kanë bërë xhiron e rrjetit, ndërsa situata në studiot Phoenix riktheu vëmendjen te pasojat e reshjeve të dendura që goditën Stambollin.

 

 

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo