Presidenti Begaj: Shqipëria është atdheu ynë i përbashkëet. Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, por dhuna nuk është zgjidhje

Në lidhje me trazirat e sotme gjatë protestës, ka reaguar presidenti Bajram Begaj. Ai bën thirrje për qetësi dhe maturi, teksa shprehet se është i hapur për dialog.

Ai bën gjithashtu thirrje që aktorët e përfshirë të bashkëpunojnë dhe të dialogojnë për të stabilizuar situatën që po përjeton Tirana përgjatë këtyre tri ditëve.

“Të dashur qytetarë,

Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve.

Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit.

Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta verë dhe nuk e vë askush në diskutim.

Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike.

Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve dhe të Shqipërisë.

U bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Inkurajoj forcat e rendit në detyrën e tyre tejet delikate dhe uroj shërim të shpejtë për çdo të lënduar, polic apo protestues.

Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi sikurse i bëj thirrje aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë, në të mirë të Shqipërisë”, shkruan Begaj.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo