Nga muaji mars i vitit 2027, Maqedonia e Veriut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të lidhen me një linjë të drejtpërdrejtë ajrore ndërmjet Shkupit dhe Dubait, e cila do të operohet nga kompania ajrore „Flydubai“, me tri fluturime në javë.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht gjatë takimit që ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, ka zhvilluar me drejtorin kryesor komercial të kompanisë „Flydubai“, Hamad Obaidalla, në kuadër të vizitës së tij të punës në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, gjatë takimit është diskutuar për mundësitë që ofron kjo linjë ajrore në drejtim të forcimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, tërheqjes së investimeve të huaja, si dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe kulturës ndërmjet dy vendeve.
Ministri Muçunski e ka vlerësuar vendosjen e kësaj linje si rezultat të diplomacisë aktive ekonomike dhe përpjekjeve për përmirësimin e lidhjeve ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut.
Nga Ministria kanë theksuar gjithashtu rolin e Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila, sipas tyre, ka kontribuar në realizimin e kësaj nisme përmes angazhimit të vazhdueshëm gjatë periudhës së kaluar.
Vendosja e linjës së drejtpërdrejtë Shkup–Dubai pritet të lehtësojë udhëtimet e qytetarëve dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e turizmit, shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.