Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gani Geci, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj.
Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh, ka dhënë pak detaje për rastin, duke bërë të ditur se pas intervistimit, me vendim të prokurorit, Gecit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
“KANOSJE Prishtinë 11.10.2026-19:27. Me 13.10.2023 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ,,kanosje ’’ ndaj viktimës mashkull kosovar-gazetar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48-orë”, thuhet në raport.
Çka dihet për rastin?
Gazeta Nacionale raportoi se ish-deputeti i LDK-së ishte shoqëruar mbrëmjen e kaluar nga Policia, pasi kishte shkuar në ambientet e Televizionit Dukagjini, ku gazetari Lirim Mehmetaj po zhvillonte një debat me deputetin e PDK-së, Përparim Gruda.
Në fund të emisionit “Debat Plus”, autori i tij, Ermal Panduri, e kishte njoftuar Mehmetajn se dikush nga familja Geci kishte ardhur në televizion dhe po e priste jashtë. Ndërkohë, në oborr ndodhej edhe Policia e Kosovës.
„Prej familjes Geci mua më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo“
Lirim Mehmetaj
Më pas, Mehmetaj ka treguar se një ditë më parë ishte kërcënuar nga familja Geci. Sipas tij, kjo kishte ndodhur pas një postimi kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Reklamë
Duke dhënë detaje për rastin, Mehmetaj ka deklaruar se ishte kontaktuar nga anëtarë të familjes Geci, të cilët, sipas tij, i kishin kërkuar ta hiqte shkrimin.
“Prej familjes Geci mua më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo”, ka deklaruar Mehmetaj.
Ai ka treguar se, pas një takimi në zyrën e tij, kërkesa për heqjen e postimit ishte përsëritur. Sipas tij, atij i ishte kërkuar edhe ndryshimi i përmbajtjes, por ai kishte refuzuar.
Mehmetaj ka deklaruar se gjatë takimit kishte pasur kërcënime, të cilat më pas i kishte raportuar te organet e rendit.
“Në mëngjes kam shku në polici, e kam njoftu rastin”, ka deklaruar ai, duke theksuar se kishte zgjedhur rrugën institucionale për ta trajtuar çështjen.