PASURIA MINERALE E MAQEDONISË ME KUADËR ZHVILLIMOR AFATGJATË DERI NË VITIN 2046

Maqedonia, përmes një plani afatgjatë, do të krijojë kushte për shfrytëzimin më të mirë të potencialit të saj gjeologjik dhe shndërrimin e tij në investime, zhvillim industrial, vende të reja pune dhe vlerë të shtuar më të madhe për ekonominë vendase.

Strategjia për kërkimet gjeologjike dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të lëndëve minerale për periudhën 2026–2046 përcakton prioritetet për kërkime gjeologjike moderne, përdorimin e përgjegjshëm të pasurisë minerale dhe krijimin e kushteve për investime afatgjata.

Maqedonia ka potencial të larmishëm gjeologjik, ku përfshihen plumbi, zinku, bakri, ari, antimoni dhe nikeli, si dhe mermeri, travertini, graniti dhe guri gëlqeror. Një nga prioritetet kryesore është që një pjesë më e madhe e vlerës ekonomike të krijohet brenda vendit. Kjo nënkupton lidhje më të forta mes minierave dhe prodhimit vendas, zhvillimin e kapaciteteve përpunuese dhe industriale, si dhe përdorimin e teknologjive moderne.

Përmirësimi i kërkimeve gjeologjike do të mundësojë përcaktimin më të saktë të potencialit dhe planifikimin në kohë të investimeve të ardhshme. Kjo krijon hapësirë për veprimtari të reja biznesi dhe forcimin e kapaciteteve prodhuese vendase. Njëkohësisht, vendosen standarde më të larta për mbrojtjen e mjedisit, transparencën dhe mbrojtjen e interesit publik. Strategjia është në përputhje me politikat evropiane, përfshirë Aktin Evropian për Lëndët e Para Kritike, duke krijuar mundësi për përfshirjen më të madhe të Maqedonisë në zinxhirët industrialë evropianë.

Dokumenti është përgatitur përmes bashkëpunimit profesional ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe Ministrisë së energjisë, minierave dhe burimeve minerale, me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe në konsultim me institucionet përkatëse dhe publikun profesional.

Strategjia është miratuar nga Qeveria, me propozim të Ministrisë së energjisë, minierave dhe burimeve Minerale, dhe përbën një kuadër afatgjatë për zhvillimin e kërkimeve gjeologjike dhe të industrisë minerare deri në vitin 2046.

Me këtë dokument krijohet baza që pasuria minerale të mos jetë vetëm objekt shfrytëzimi, por edhe nxitëse e industrisë vendase, investimeve dhe zhvillimit ekonomik afatgjatë, përmes menaxhimit të përgjegjshëm dhe ruajtjes së mjedisit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo