Arabia Saudite paralajmëron përgjigje të ashpër ndaj Huthëve, për sulmet mbi Aeroportin

Ministri i Energjisë i Arabisë Saudite ka paralajmëruar një përgjigje “serioze” ndaj sulmeve vdekjeprurëse të lëvizjes Huthi, të mbështetur nga Irani, ndaj aeroporteve dhe objekteve të naftës dhe gazit në mbretëri.

“Ngjarjet e javëve të fundit janë serioze. Përgjigjja jonë duhet të jetë po aq serioze”, deklaroi princi Abdulaziz bin Salman në Kongresin Botëror të Energjisë, që po mbahet në Riad.

Të dielën, një shtetas pakistanez u vra nga një sulm në një terminal të Aeroportit Ndërkombëtar “King Khalid” në kryeqytetin saudit, sipas autoriteteve të Arabisë Saudite. Një ditë më parë, një raketë e Huthëve kishte goditur një terminal tjetër, duke vrarë 13 persona dhe duke detyruar mbylljen e tij, shkruan BBC, transmeton Pa Censurë.

Huthët deklaruan se sulmet u kryen në shenjë hakmarrjeje për atë që e cilësuan si “agresion brutal saudit” ndaj zonave në Jemenin perëndimor që janë nën kontrollin e tyre.

Ndërkohë, ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Huthët bëri të ditur se një fëmijë u vra dhe gjashtë persona të tjerë u plagosën të dielën nga një sulm ajror saudit ndaj një banese në kryeqytetin jemenas, Sana.

Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite po ofron mbështetje ajrore për forcat jemenase proqeveritare, të cilat po luftojnë kundër Huthëve përgjatë bregdetit të Detit të Kuq dhe në zona të tjera të vendit.

Jemeni është shkatërruar nga një luftë civile që nisi në vitin 2014, kur Huthët rrëzuan qeverinë nga pushteti në Sana. Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015, kur koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri ushtarakisht në përpjekje për të rikthyer qeverinë në pushtet.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo