Ministri bullgar njoftoi se do të zhvillohet një dëgjim dhe do të kontrollohen të gjitha rrethanat pas largimit të Mihajllovës nga Maqedonia, ku ndaj saj po zhvillohet një procedurë gjyqësore për një aksident trafiku me pasoja fatale.
Ministri i Punëve të Brendshme të Bullgarisë, Ivan Demerdzhiev, deklaroi sot se Iva Mihajllovës do t’i jepet mbrojtje nëse vlerësohet se ajo ka nevojë për të. Mihajllova ndodhet në spitalin “Pirogov” në Sofje, pasi dje e la Maqedoninë, ku ndaj saj po zhvillohet një procedurë gjyqësore për një aksident trafiku me pasoja fatale.
“Jam i informuar se ajo dhe avokati i saj ndodhen në ‘Pirogov’. Do të merren masa për dëgjimin e saj dhe për të përcaktuar se kur, ku dhe si e kaloi kufirin. Do t’i shqyrtojmë edhe të gjitha rrethanat e tjera, përfshirë nëse kanë nevojë për siguri. Nëse ekziston një nevojë e tillë, do t’u jepet mbrojtje”, deklaroi Demerdzhiev.
Në reagim ndaj rastit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë vlerësoi se veprimi i institucioneve bullgare dhe pranimi i Mihajllovës në Sofje dërgojnë një mesazh të gabuar dhe minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Rasti tani hap pyetje më të gjera rreth bashkëpunimit mes institucioneve maqedonase dhe bullgare, veprimit gjatë kalimit të kufirit shtetëror dhe respektimit të vendimeve gjyqësore, në kushtet kur Maqedonia pret që Bullgaria fqinje të respektojë parimet e sundimit të ligjit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.