Mjeku Darko Vasilevski i jep fund grevës 6-ditore: Luftoj si Don Kishoti me mullinjtë e erës





Mjeku Darko Vasilevski i dha fund grevës gjashtëditore para Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë.

Ai tha se, pavarësisht gjendjes së përkeqësuar shëndetësore, largohet me kokën lart.

“Dje, pas bisedës së shkurtër me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, kuptova se, si Don Kishoti, po luftoj me mullinjtë e erës dhe kam pritshmëri tepër të mëdha nga institucionet”, shkroi Vasilevski në Facebook.

Ai thotë se nuk është penduar që e ngriti zërin dhe që u përpoq vetë të luftojë për të drejtat e tij dhe të vërë në pah padrejtësitë.

“Shpresoja që rasti im të ishte një mësim se si nuk duhet të veprohet në të ardhmen, se secilit duhet t’i jepet një mundësi e drejtë dhe jo të numërohen vitet apo të përdoren lidhjet”, thekson ai.

Pas gjashtë ditësh grevë, Vasilevski thotë se largohet me shëndet të dëmtuar, por krenar që qëndroi dhe nuk u dorëzua përballë presionit.

Ai shton se procedura e drejtë dhe transparente do të jetë objekt i shqyrtimit para organeve kompetente inspektuese dhe gjyqësore.

“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Edhe më tej do të vazhdoj të luftoj me mullinjtë e erës, nuk di si ndryshe”, u shpreh mjeku.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo