Paraburgimi i ri prej 30 ditësh ndaj Dejan Jovanovit – Deko nuk do të ndikojë në përshpejtimin e procesit gjyqësor për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan, vlerëson ish-gjyqtari dhe avokati Vladimir Tufegxhiq. Sipas tij, gjykimi do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë, para së gjithash për shkak të asaj që ai e cilëson si teori të gabuar të rastit në aktakuzën e ngritur.
Tufegxhiq konsideron se paraburgimi i ri ndaj Jovanovit nuk do të ndikojë në dinamikën e procedurës gjyqësore dhe as nuk do të mundësojë një zgjidhje më të shpejtë dhe të drejtë të rastit. Sipas tij, për këtë arsye do të vazhdojnë edhe reagimet e familjeve të viktimave.
“Gjykimi për tragjedinë e Koçanit do të jetë një proces i gjatë dhe i dhimbshëm, para së gjithash për shkak të vendosjes së gabuar të teorisë së rastit në aktakuzën e ngritur. Paraburgimi i ri i Dejan Jovanovit nuk do t’i ndryshojë gjërat dhe as nuk do të ndikojë që të arrihet një zgjidhje më e shpejtë dhe e drejtë, ndërsa do të vazhdojnë reagimet e ashpra dhe të arsyeshme të familjeve të viktimave”, deklaron Tufegxhiq.
Ai vlerëson se një pjesë e të akuzuarve, përfshirë edhe ish-ministra, mund t’i kërkojnë Gjykatës ndryshimin e renditjes së paraqitjes së provave të mbrojtjes. Në këtë mënyrë, provat e propozuara prej tyre mund të paraqiten më herët, duke përfunduar kështu procedurën e provave në raport me këta të akuzuar.
“Në drejtim të sqarimit të gjendjes, do të ishte e përshtatshme që ministrat e akuzuar nga 10-15 vjet më parë dhe disa persona të tjerë, të cilët plotësisht kanë humbur rrugën në këtë lëndë gjyqësore, t’i kërkojnë Gjykatës ndryshimin e renditjes së paraqitjes së provave të mbrojtjes, në mënyrë që të paraqiten disa nga provat e tyre të propozuara dhe kështu të përfundojë procedura e provave për ta”, thekson Tufegxhiq.
Sipas tij, një qasje e tillë nuk do të ishte e pazakontë në procedurat komplekse penale dhe në rastin konkret mund të kontribuonte në rritjen e efikasitetit dhe ekonomizimit të gjykimit.
Tufegxhiq thekson se pas përfundimit të procedurës së provave për disa nga të akuzuarit, Prokuroria do të mund ta rishqyrtonte aktakuzën ndaj tyre, ndërsa Gjykata do të kishte mundësi të merrte vendim në një procedurë të ndarë.
“Me këtë, procedura e provave ndaj këtyre disa të akuzuarve do të ishte shteruar dhe Prokuroria, duke qenë se procedura e provave ka përfunduar, do të mund ta rishqyrtonte aktakuzën ndaj tyre, ndërsa Gjykata në një procedurë të ndarë do të mund të merrte vendim”, thotë ai.
Ish-gjyqtari vlerëson se në këtë mënyrë procesi gjyqësor do të mund të përqendrohej te çështjet kryesore që lidhen me tragjedinë në të cilën humbën jetën 63 persona, ndërsa më shumë se 200 të tjerë u lënduan.
“Ky është mendimi im, në mënyrë që të ruhet fokusi i vërtetë te kjo ngjarje tragjike”, shton Tufegxhiq.
Gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan ndodhet në fazën e paraqitjes së provave të mbrojtjes, pasi Prokuroria ka përfunduar procedurën e saj të provave. Gjatë procesit janë paraqitur 1.390 prova materiale, ndërsa janë dëgjuar 45 dëshmitarë dhe pesë ekspertë.
Ndërkohë, Dejan Jovanovit – Deko i është caktuar një tjetër masë paraburgimi prej 30 ditësh, në kuadër të një hetimi të veçantë të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku ai dyshohet për dhënie ryshfeti.
Sipas Prokurorisë, dyshimet kanë të bëjnë me dhënien e ryshfetit ndaj një zyrtari në Ministrinë e Ekonomisë, me qëllim marrjen e licencës për objektin hotelierik. Procedura për këtë rast ndodhet ende në fazën hetimore, ndërsa dyshimet ndaj Jovanovit duhet të vërtetohen përmes procedurës përkatëse gjyqësore.