Protestuesit te Kuvendi, i lexojnë emrat e 110 deputetëve, kërkojnë votimin e ligjit pa vonesë
Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim”, pas përfundimit të protestës së ditës së 18-të, kanë marshuar drejt njërës nga hyrjet e Kuvendit të Kosovës, ku kanë kërkuar votimin pa vonesë të ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Në këtë aksion, protestuesit kanë lexuar një nga një emrat e 110 deputetëve të Kuvendit, duke u bërë thirrje që të veprojnë dhe ta votojnë projektligjin.
Aksioni është zhvilluar në kohën kur, sipas protestuesve, kanë mbetur edhe tri ditë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit. Ata kanë kërkuar që deputetët të mos e shtyjnë më tej votimin e ndryshimeve ligjore.
Protesta “Jo në emrin tim” ka hyrë në ditën e 18-të, me kërkesën për veprime konkrete të institucioneve në mbrojtje të UÇK-së dhe të çlirimtarëve.