Drejtori i Lotarisë Vlado Petkovski: Bajrami ishte proaktiv, punonte që fitimi i VLT-së të mbetej në Lotarinë Shtetërore – DAP dha mendim pozitiv

I pandehuri i parë, Perparim Bajrami, i cili erdhi në detyrën e drejtorit të “Lotarisë Shtetërore” pas paraardhëses së tij, Katica Nikolovski-Prnarkova, ishte proaktiv dhe u angazhua për realizimin e projekteve të reja për rritjen e portofolit dhe fitimit të kompanisë – kështu dëshmoi sot Vlado Petkovski, drejtor i shitjeve në Lotarinë Shtetërore.

Ai sot u thirr si dëshmitar i Prokurorisë në rastin për keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore. I pyetur nga prokurori se përse drejtoresha e mëparshme u zëvendësua me Bajramin, ai tha se nuk mund t’i përgjigjej kësaj pyetjeje.

Në seancën gjyqësore ku po shqyrtohet rasti lidhur me funksionimin e Lotarisë Shtetërore, dëshmoi Petkovski, i cili foli për themelimin e shoqërisë së re dhe procesin e prokurimit të terminaleve VLT.

Sipas dëshmitarit, ishte themeluar një shoqëri e re në të cilën Lotaria Shtetërore ishte partnere me „Casinos Austria“. Shoqëria, e njohur si VLT, ishte paraparë të organizonte lojëra elektronike të fatit dhe të operonte me terminale videolotarie.

Petkovski tha se shoqëria ishte regjistruar në sistemin e prokurimeve publike dhe, përmes një tenderi, kishte blerë terminale VLT. Megjithatë, për shkak të një procesi që zgjati më shumë dhe interpretimit autentik të ligjit, terminalet e blera nuk arritën të vihen në përdorim.

Dëshmitari, i cili tha se kishte qenë pjesë e komisionit teknik, deklaroi se ideja ishte që fitimi nga terminalet të mbetej në Lotarinë Shtetërore, në vend që të ndahej me partnerin „Casinos Austria“.

Ai tha se gjatë procesit ishin siguruar dokumente të ndryshme, përfshirë hulumtime të tregut, studime fizibiliteti dhe mendime nga institucionet kompetente, veçanërisht nga Ministria e Financave dhe Qeveria.

Sipas Petkovskit, ishin dorëzuar edhe kërkesa në Administratën e të Ardhurave Publike për kushtet teknike dhe teknologjike. Ai tha se përgjigjja nga DAP kishte qenë pozitive, por procedura nuk kishte arritur deri te marrja e pëlqimit nga Ministria e Financave, pasi ndërkohë ishte miratuar interpretimi autentik.

Duke folur për atë se kujt i përkiste ideja që Lotaria Shtetërore ta mbante të gjithë fitimin, dëshmitari tha se nuk mund ta përcaktonte, pasi vendimet ishin diskutuar në kolegjiume ku ai nuk kishte marrë pjesë.

Gjatë dëshmisë u ngritën edhe pyetje lidhur me marrëdhëniet mes të akuzuarve Perparim Bajrami dhe Artan Grubi. Petkovski deklaroi se nuk kishte pasur ndonjë situatë të drejtpërdrejtë që do t’i mundësonte të thoshte se ata ishin miq.

Ai sqaroi se aksionari i Lotarisë Shtetërore është Qeveria dhe se Qeveria ka rol në funksionimin e saj. Sipas tij, drejtuesit e Lotarisë shpesh shkonin në Qeveri, ndërsa Grubi mund të ishte përmendur në ndonjë rast, por jo në lidhje me punën e Lotarisë.

Mbrojtja e Grubit kundërshtoi pyetjet e prokurorit, duke kërkuar që procesi gjyqësor të mos shndërrohej në “biseda pa lidhje”. Sipas mbrojtjes, dëshmitari kishte deklaruar qartë se Grubi nuk ishte përmendur në kontekstin e punës së Lotarisë Shtetërore.

Pas kundërshtimit, prokurori e tërhoqi pyetjen. Ndërkaq, kur u pyet nëse kishte qenë i pranishëm në ndonjë takim mes Perparimit dhe Artan Grubit, dëshmitari u përgjigj se nuk kishte marrë pjesë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo