Kurti takon Trumpin në OKB: SHBA mbetet aleati kryesor i Kosovës





Nju Jork – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është takuar për herë të parë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, raporton Tetovasot.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti theksoi se gjatë takimit e falënderoi presidentin amerikan për nxitjen e rritjes së investimeve në mbrojtje brenda NATO-s, duke shtuar se edhe Kosova synon të bëhet anëtare e Aleancës Veriatlantike.

“E falënderova për ngritjen e valës së investimeve në mbrojtje në NATO, ku edhe Kosova duhet të anëtarësohet”, ka shkruar Kurti.

Siç raporton Tetovasot, kryeministri ritheksoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Uashingtonit, duke e cilësuar SHBA-në si aleatin më të rëndësishëm të shtetit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special i Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti.

Takimi u zhvillua në margjinat e aktiviteteve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe përbën kontaktin e parë zyrtar mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Trump, raporton Tetovasot.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo