ASH: Vetëm në vitin 2026, dy herë më shumë viktima nga ethet e Nilit Perëndimor sesa në 15 vitet e mëparshme së bashku

Situata me ethet e Nilit Perëndimor është alarmante dhe kërkon përgjegjësi të qartë institucionale.

Të dhënat zyrtare janë shqetësuese. Nga viti 2011, kur ethet e Nilit Perëndimor u regjistruan për herë të parë në vend, deri në fund të vitit 2025, janë regjistruar gjithsej 54 raste të konfirmuara dhe 5 viktima.

Vetëm gjatë vitit 2026, deri më 22 shtator, janë regjistruar 70 raste, prej të cilave 68 me formë neuroinvazive të sëmundjes. Deri atëherë kishin humbur jetën 9 persona, ndërsa sot është raportuar edhe viktima e dhjetë.

Pra, vetëm këtë vit kemi dy herë më shumë viktima nga ethet e Nilit Perëndimor sesa gjatë gjithë periudhës 2011-2025 së bashku.

Këto nuk janë thjesht statistika. Janë 10 jetë të humbura dhe dhjetëra qytetarë të hospitalizuar.

Institucionet përgjegjëse duhet të japin përgjigje të qarta. A janë ndërmarrë në kohë masat e nevojshme për dezinsektim? A është bërë monitorimi i duhur i mushkonjave dhe zonave me rrezik? A ka pasur koordinim të mjaftueshëm mes institucioneve shëndetësore, komunave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse?

Vetë Instituti i Shëndetit Publik ka konstatuar rritje të rasteve dhe intensifikim të transmetimit lokal, ndërsa më 11 gusht është shpallur epidemi në Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel.

Kur brenda një viti humbin jetën dy herë më shumë njerëz sesa në 15 vitet e mëparshme së bashku, nuk mjaftojnë arsyetimet dhe reagimet pasi problemi ka marrë përmasa serioze.

Qytetarët meritojnë transparencë, masa konkrete dhe përgjegjësi.

Shëndeti publik nuk guxon të menaxhohet pasi të numërohen viktimat.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo