Ministria e Kulturës dhe Turizmit uron 27 Shtatorin – Ditën Botërore të Turizmit

Me rastin e 27 Shtatorit – Ditës Botërore të Turizmit, Ministria e Kulturës dhe e Turizmit u përcjell urime të sinqerta të gjithë punonjësve të turizmit, faktorëve në sektorin e turizmit dhe qytetarëve, të cilët me përkushtimin, njohuritë, punën dhe mikpritjen e tyre kontribuojnë në zhvillimin dhe promovimin ndërkombëtar të turizmit maqedonas.

Tema e sivjetme, e përcaktuar nga Organizata Botërore e Turizmit pranë Kombeve të Bashkuara (UN Tourism), „Agjenda digjitale dhe inteligjenca artificiale për ridizajnimin e turizmit“, thekson rolin gjithnjë e më të madh të teknologjive bashkëkohore dhe inovacioneve në formësimin e sektorit të turizmit, ndërsa njeriu dhe përvoja autentike turistike mbeten në qendër të vëmendjes.

Qeveria dhe Ministria e Kulturës dhe e Turizmit e njohin turizmin si faktor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të shtetit. Vizioni ynë është që Maqedonia të pozicionohet si drejtim turistik i njohur ndërkombëtarisht, përmes vlerësimit dhe promovimit të trashëgimisë së pasur kulturore dhe natyrore, zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve turistike cilësore dhe të qëndrueshme, si dhe zbatimit të zgjidhjeve bashkëkohore digjitale.

Lëvizjet pozitive në sektorin e turizmit paraqesin nxitje për vazhdimin e aktiviteteve për zhvillimin e tij të qëndrueshëm dhe zhvillimin e ofertës turistike. Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, Maqedoninë e kanë vizituar gjithsej 741.446 turistë, ndërsa është shënuar rritje e numrit të turistëve të huaj. Ndër mysafirët e huaj më të shumtë janë turistët nga Turqia, Gjermania, Serbia, Rumania dhe Shqipëria.

Këto rezultate theksojnë rëndësinë e promovimit të vazhdueshëm të Maqedonisë, zhvillimit të cilësisë së shërbimeve turistike dhe zhvillimit të një oferte turistike autentike, të qëndrueshme dhe konkurruese, në përputhje me nevojat e turistëve bashkëkohorë.

Inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi hapin mundësi të reja për menaxhim më efikas të drejtimeve turistike, planifikim më të mirë dhe krijimin e përvojave turistike më të personalizuara, më gjithëpërfshirëse dhe më cilësore. Në bashkëpunim me sektorin privat dhe të gjithë faktorët në turizëm, vazhdojmë me përkushtim të krijojmë kushte për zhvillimin e një sektori turistik bashkëkohor dhe konkurrues, i cili do t’i ndjekë trendet botërore, do t’i ruajë vlerat tona dhe do të hapë mundësi të reja për qytetarët dhe ekonominë.

Së bashku të vazhdojmë ta ndërtojmë të ardhmen turistike të Maqedonisë – të hapur, inovative, të qëndrueshme dhe të njohur në botë, me njeriun, trashëgiminë kulturore dhe bukuritë natyrore në zemër të saj.

Së bashku të ndërtojmë turizëm që lidh, frymëzon dhe krijon mundësi për të gjithë!

Urime 27 Shtatori – Dita Botërore e Turizmit!

Me respekt,

Ministria e Kulturës dhe Turizmit

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo