Një raketë balistike e lëshuar nga rebelët Huthi në Jemen drejt kryeqytetit saudit, Riad, është kapur dhe shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Arabisë Saudite në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Huthit tentuan gjithashtu të godisnin objektiva civile dhe zona të banuara në Bisha, Taif, Farasan dhe Yanbu, por sulmet u neutralizuan nga mbrojtja ajrore.
Deri më tani nuk raportohet për dëme të mëdha apo viktima nga këto sulme.
Më herët, zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Sari, deklaroi se grupi kishte ndërmarrë sulme ndaj disa objektivave të ndjeshme në Riad, si dhe ndaj objekteve të kompanisë saudite të naftës Aramco në Yanbu, në brigjet e Detit të Kuq.
Sulmet shënojnë një tjetër përshkallëzim të tensioneve rajonale dhe vijnë në një periudhë kur Huthit kanë intensifikuar kërcënimet dhe sulmet me raketa e dronë ndaj objektivave në Arabinë Saudite.