BOZHINOVSKA ME FITUESIT E RINJ TË ,, UNAZËS SË INXHINERIT “ : IDETË TUAJA JANË ENERGJI PËR ZHVILLIMIN E MAQEDONISË
Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, edhe këtë vit u takua
me inxhinierët e rinj më të mirë – fitues të mirënjohjes prestigjioze “Unaza e Inxhinierit”, duke
diskutuar me ta për idetë, interesat, projektet dhe vizionin e tyre për të ardhmen profesionale.
Inxhinierët e rinj para ministres prezantuan fushat në të cilat zhvillohen profesionalisht, projektet
në të cilat janë të përfshirë, temat që i motivojnë, si dhe pritshmëritë e tyre për zhvillimin
profesional dhe mundësitë përmes të cilave njohuritë dhe ekspertizën e tyre mund t’i vënë në
funksion të zhvillimit të vendit.
Bozhinovska i inkurajoi inxhinierët e rinj të mos ndalen këtu – të vazhdojnë të mësojnë, të
krijojnë, të inovojnë dhe me guxim t’i shndërrojnë idetë e tyre në zgjidhje që do të kontribuojnë
në zhvillimin e shtetit.
„Çdo shtet ka nevojë për dije, por edhe më shumë ka nevojë për të rinj që dinë ta
shndërrojnë dijen në ide, dhe idetë në zgjidhje konkrete. Suksesi juaj nuk është vetëm
sukses personal – ai është edhe potencial për përparimin e Maqedonisë. Prandaj, mos
ndaloni kurrë së pyeturi, së hulumtuari dhe së krijuari. Dyert e Ministrisë janë të hapura
për të rinjtë, për idetë, iniciativat dhe projektet e tyre, tha ministrja Bozhinovska.
Në takim u diskutua gjithashtu për mundësitë e lidhjes më të madhe të inxhinierëve të rinj me
institucionet, për përfshirjen e tyre në projektet e ardhshme dhe për krijimin e kushteve që
njohuritë dhe inovacioni i tyre të bëhen pjesë e proceseve zhvillimore në vend.
Ministrja theksoi se pikërisht takime të tilla janë një mundësi që institucionet të dëgjojnë
drejtpërdrejt se çfarë mendojnë të rinjtë, me çfarë sfidash përballen dhe çfarë mundësish presin.
„Na nevojiten inxhinierë të rinj që të jenë të guximshëm në idetë e tyre dhe këmbëngulës në
realizimin e tyre. Shteti duhet të krijojë hapësirë për zhvillimin e tyre, ndërsa institucionet
duhet të jenë partneri i tyre. Dua që të rinjtë ta dinë se kanë vend, mundësi dhe një
bashkëbisedues në Ministrinë e energjisë, minierave dhe burimeve minerale.”
Si një nxitje simbolike për arritjet e tyre të deritanishme dhe sukseset e ardhshme profesionale,
Bozhinovska u ndau inxhinierëve të rinj mirënjohje të veçanta për potencialin dhe zhvillimin
inxhinierik, me mesazhin që të vazhdojnë rrugën e dijes, inovacionit dhe suksesit profesional.
Mirënjohjet “Unaza e Inxhinierit” këtë vit ndahen për herë të 23-të, ndërsa deri më tani me këtë
mirënjohje prestigjioze janë nderuar gjithsej 257 inxhinierë.
Fituesit e këtij viti janë Marta Miteva, Arbana Kasami, Antonio Tomeski, Jane Koceski,
Mila Sazdova, Ognen Pendarovski, Marija Simonovska, Nikola Petrovski, Mihail Trajkov,
Mila Çolakoska, Stefana Dimitrieska, Simeon Nalovski, Stefan Spasov dhe Tamara
Atanasova, nga Fakulteti i Arkitekturës, Fakulteti i Shkencave të Aplikuara pranë Universitetit të
Tetovës, Fakulteti i Ndërtimtarisë, Fakulteti i Makinerisë, Fakulteti i Teknologjisë dhe
Metalurgjisë, FEIT-i, Fakulteti i Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit, FINKI, Fakulteti i
Shkencave Matematiko-Natyrore (PMF), Fakulteti i Dizajnit dhe Teknologjive të Mobilieve dhe
Interierit, Fakulteti Teknik pranë UKLO-së, Fakulteti i Teknologjive Informatike dhe
Kompjuterike pranë UKLO-së, si dhe Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Teknike dhe Fakulteti i
Informatikës pranë UGD-së.
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale mbetet e hapur për të
rinjtë – për njohuritë, idetë dhe energjinë e tyre, si një pjesë e rëndësishme e
krijimit të një Maqedonie moderne, inovative dhe në zhvillim.





