VLEN në opozitë kundër BIXHOZIT, në qeveri FESTË” me paratë e LOTARISË!





Koncerti i sotëm në sheshin “Iliria” në Tetovë përmbyll manifestimet për 35-vjetorin e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Por pas skenës dhe muzikës qëndron një kundërthënie që VLEN-i ua ka borxh t’ua shpjegojë qytetarëve.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Qeveria, manifestimet kushtojnë rreth 5,53 milionë euro gjithsej. Prej tyre, 300 milionë denarë vijnë nga fitimi i pashpërndarë i Lotarisë Shtetërore, ndërsa 40 milionë denarë nga kompani të tjera.
Në opozitë, VLEN-i e ngriti luftën kundër bixhozit në kauzë morale. Sot, në qeveri, feston përmes manifestimeve të financuara nga fitimi i Lotarisë.
A ndryshoi burimi i parave, apo ndryshoi morali juaj sapo morët pushtetin?
Si shpjegohet që të ardhurat nga lojërat e fatit, dikur të papranueshme në ligjërimin tuaj politik, sot janë të përshtatshme për të paguar festën e qeverisë?
Ky është amoraliteti i standardeve të dyfishta. Në opozitë predikojnë parime, ndërsa në pushtet gjejnë arsyetime për t’i shkelur ato. Rehatia e kolltukut, me sa duket, ua ka zhdukur edhe atë pak ndërgjegje politike e njerëzore që pretendojnë se e kanë.
Arti duhet t’i mbushë sheshet dhe qytetarët kanë të drejtë të argëtohen. Por muzika nuk e shlyen hipokrizinë politike. Për premtimet dhe standardet tuaja të dyfishta duhet të përgjigjeni ju vetë!
Një tjetër shqetësim që po e shoqëron këtë cirk është pyetja e pashmangshme. Pse Tetova është lënë në margjinat e festimit të 35-vjetorit të Pavarësisë?
Grupi legjendar tetovar Elita 5, që dikur në Shqipëri ndau skenën me Scorpions, sot lihet jashtë manifestimit qendror në Shkup, ku performoi José Carreras dhe ku nuk u gjet hapësirë për asnjë artist apo grup shqiptar.
Tetovës dhe artistëve të saj u vjen radha një javë më vonë, në fund të agjendës. Për ne, kjo zgjedhje pasqyron vazhdimin e politikës së përjashtimit dhe margjinalizimit të shqiptarëve, që tashmë shfaqet edhe në manifestimet kulturore.
VLEN-i duhet të tregojë pse pranon që shqiptarët të jenë pjesë e pushtetit, por të mbeten në margjinat e përfaqësimit shtetëror, politik e kulturor.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo