Arben Fetai: Historia nuk rishkruhet, viktima nuk barazohet me agresorin – Kosova i pret çlirimtarët

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, njëherit i Dërguari Special për Bashkimin Evropian, Arben Fetai, ka reaguar përmes një mesazhi të fortë në prag të verdiktit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.

Fetai thekson se, sipas tij, “dihet viktima, dihet agresori dhe dihet edhe e vërteta historike”, duke rikujtuar krimet dhe dëbimet e shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

“Regjimi i Millosheviqit zhvilloi në Kosovë një fushatë sistematike të dhunës dhe terrorit ndaj popullsisë shqiptare”, shkruan Fetai, njofton TS.

Ai rendit të dhëna për viktimat, masakrat, dhunën seksuale dhe dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, ndërsa thekson se proceset gjyqësore nuk duhet, sipas tij, të përdoren për të ndryshuar atë që e konsideron realitetin historik të luftës.

Fetai shprehet gjithashtu se UÇK-ja “lindi nga populli” dhe e cilëson atë si një lëvizje rezistence të ngritur përballë regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Në deklaratën e tij, Fetai i cilëson Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin si “heronj të kësaj lëvizjeje çlirimtare dhe të këtij populli”.

Mesazhin e tij, Fetai e përmbyll me një varg deklaratash të forta:

“Historia nuk rishkruhet.
Viktima nuk barazohet me agresorin.
Drejtësia nuk relativizohet.
Lufta për liri nuk kriminalizohet.”

Në fund, ai shkruan: “Kosova i pret çlirimtarët.”

 

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo