DPB Strugë ka ngritur kallëzim penal kundër R.M. (69), A.B. (40), të dy nga Struga, si dhe kundër N.R. (57) nga fshati Poum i Strugës, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim”.
I denoncuari R.M., ish-kryetar i Komunës së Strugës, gjatë mandatit të tij ka shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin zyrtar në atë mënyrë që, përmes lënies pas dore të mbikëqyrjes së detyrueshme, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe në mënyrë të kundërligjshme ka nënshkruar lejen e ndërtimit për një parcelë kadastrale në fshatin Misleshovë të Strugës.
I denoncuari i dytë dhe i tretë, nga pozita e këshilltarit në Sektorin për Urbanizëm, Veprimtari Komunale, Komunikacion dhe Mbrojtje të Mjedisit Jetonës, si dhe ndihmës-udhëheqësit të të njëjtit sektor, paraprakisht e kanë përgatitur lejen në mënyrë të kundërligjshme. Mbi bazën e dokumentacionit të paplotë, pa projekt ideor të bashkëngjitur, leja është lëshuar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim.