Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, Konjufca: Besoj se Apeli do ta shqyrtojë me rigorozitet vendimin

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, me të cilin ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Përmes një postimi në platformën X, ai shprehu besimin se Dhoma e Apelit do ta shqyrtojë vendimin me kujdes dhe rigorozitet juridik.

“Besoj fuqimisht se Dhoma e Apelit do ta shqyrtojë vendimin me kujdes dhe rigorozitet juridik dhe do t’i trajtojë, në përputhje me ligjin në fuqi dhe praktikën e konsoliduar, mangësitë ligjore dhe faktike që rrjedhin nga ky vendim”, ka shkruar Konjufca.

“Historia e Kosovës është një histori represioni, rezistence, lufte, humbjeje dhe, në fund, lirie të fituar me shumë sakrifica.

“Sot, në rrethanat aktuale, është e vështirë të perceptohet një ndjenjë drejtësie për dhjetëra mijëra gra, burra dhe fëmijë, prej të cilëve më shumë se 95% ishin shqiptarë etnikë, që u vranë, u përdhunuan dhe u torturuan nga forcat ushtarake, paramilitare dhe policore serbe. Për ta, drejtësia nuk erdhi kurrë”.

Në fund, Konjufca tha se qytetarët e Kosovës duhet të mbeten krenarë për dinjitetin dhe qëndresën e tyre.

“Mbi të gjitha, duhet të mbetemi krenarë për dinjitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës, dhe për shtetin që kemi ndërtuar sot: një Kosovë të lirë, demokratike dhe evropiane”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo