Gjykata Speciale “ia kaloi” edhe Millosheviçit? Thaçi ishte dënuar me 10 vite nga Serbia, Haga me 25
Gati tri dekada para dënimit me 25 vite burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë, Hashim Thaçi ishte dënuar në mungesë edhe nga sistemi gjyqësor i Serbisë.
Në korrik të vitit 1997, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, e cila në atë kohë funksiononte nën autoritetin e Beogradit, e kishte dënuar Thaçin me 10 vite burgim. Autoritetet serbe e akuzonin atë për veprimtari që i cilësonin terroriste, si dhe për sulme ndaj policisë dhe ushtrisë serbe.
Procesi gjyqësor ishte zhvilluar në mungesë të Thaçit, në një periudhë kur autoritetet serbe ndiqnin dhe dënonin veprimtarë shqiptarë të angazhuar në rezistencën ndaj pushtetit të Beogradit në Kosovë.
Në atë kohë, Thaçi vepronte ilegalisht dhe ishte një prej figurave të përfshira në organizimin e rezistencës së armatosur shqiptare. Gjatë luftës në Kosovë ai njihej me nofkën “Gjarpri”.

Vendimi i vitit 1997 lidhej me aktivitetin e tij politik dhe të armatosur, ndërsa autoritetet serbe e konsideronin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës organizatë terroriste. Në anën tjetër, shqiptarët e Kosovës e shihnin UÇK-në si forcë çlirimtare që luftonte kundër represionit dhe sundimit serb.
Thaçi nuk e vuajti dënimin e dhënë nga gjykata nën autoritetin e Beogradit. Dy vite më vonë, ai u shfaq në skenën ndërkombëtare si një prej drejtuesve politikë të UÇK-së dhe udhëhoqi delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë.
Pas përfundimit të luftës, Thaçi themeloi Partinë Demokratike të Kosovës dhe mbajti disa prej posteve më të larta shtetërore. Ai shërbeu si kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa më pas u zgjodh president i Kosovës.
Në shkurt të vitit 2008, në cilësinë e kryeministrit, Thaçi lexoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Në nëntor të vitit 2020, ai dha dorëheqjen nga posti i presidentit, pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara, dhe u transferua në Hagë për t’u përballur me procesin gjyqësor.
Sot, më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara e dënoi Thaçin me 25 vite burgim për krime lufte, ndërsa e shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Kështu, dënimi i dhënë në Hagë është 15 vite më i gjatë se ai i shqiptuar ndaj tij në vitin 1997 nga gjykata që funksiononte nën autoritetin e atëhershëm të Serbisë.