Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë verdiktin për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët prej rreth gjashtë vitesh ndodhen në paraburgim.
Për këtë proces ka folur edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në një intervistë për Klan News me gazetarin Besard Jacaj.
Gjatë intervistës, Ahmeti është pyetur edhe për mungesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në marshin e zhvilluar në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Ahmetit, Kurti mund të ketë zgjedhur të mos marrë pjesë nga frika e ndonjë reagimi të mundshëm të qytetarëve të pranishëm në marsh.
“Mosprezenca e z. Kurti në marshin e djeshëm… mendoj se ka qenë i kujdesshëm. Ky është vlerësimi im, që mbase mund të ketë menduar se mund të ketë reagime prej njerëzve që ishin të pranishëm në shesh. Por kishte deputetë nga VV-ja. Ka pasur mundësi që nga dikush të fishkëllehej”, është shprehur Ahmeti, përcjell TS.
Ndërkohë, më 16 shtator pritet vendimi i Gjykatës Speciale ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, një proces që prej vitesh është në qendër të vëmendjes së opinionit publik në Kosovë dhe në mesin e shqiptarëve në rajon.