
.
Z. Shasivari, duket se sa herë shqiptarët presin nga ju një qëndrim dinjitoz, ju zgjidhni pikërisht të kundërtën.
Shkrimi i sotshëm i ministrit është i turpshëm. Jo sepse kërkon drejtësi, por sepse në emër të “drejtësisë” tenton të zhveshë një luftë çlirimtare nga konteksti i saj historik dhe kombëtar.
Dje, mijëra shqiptarë dolën në rrugët e Prishtinës me një mesazh të qartë: “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm.”
Ndërsa populli doli në mbështetje të çlirimtarëve, ju zgjodhët të shkruani një tekst të ftohtë, ku UÇK-ja dhe lufta e saj reduktohen në disa fjali mbi “viktimat”, “të akuzuarit” dhe “drejtësinë”.
Por UÇK-ja nuk është një paragraf në një aktakuzë. UÇK-ja është pjesë e historisë së popullit shqiptar të Kosovës.
Nuk mund ta shkëpusni luftën nga arsyeja pse ajo filloi. Nuk mund ta fshini shtypjen, dhunën dhe sakrificën që i paraprinë luftës vetëm duke përdorur fjalë si “standardet evropiane” dhe “drejtësia e barabartë”.
Askush nuk po thotë se gjykatat nuk duhet ta bëjnë punën e tyre. Por respektimi i një procesi gjyqësor nuk kërkon që një shqiptar të heshtë përballë shtrembërimit të historisë së tij.
Në emër të popullit, në emër të atyre që ranë dhe në emër të lirisë që e gëzon Kosova sot: liri për çlirimtarët. 