Sheshi “Skënderbej” në Prishtinë pret sot “Marshin për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët më 16 shtator do të mësojnë fatin e tyre nga Gjykata e Hagës.
Aktiviteti organizohet nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, e cila ka njoftuar se tubimet dhe aktivitetet mbështetëse do të vijojnë gjatë ditëve në komunat e Kosovës, por edhe në diasporë.
Më 15 dhe 16 shtator pritet të zhvillohet edhe “Nata e Pritjes” në Hagë, ndërsa 50 veteranë kanë njoftuar se do të udhëtojnë drejt saj për të mbështetur ish-komandantët e UÇK-së.
Që prej nëntorit të vitit 2020, 4 ish-krerët e UÇK Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi qëndrojnë të izoluar në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në shkurt të këtij viti, ata dolën për herë të tretë para Gjykatës Speciale për të dhënë deklarimet e tyre, ndërsa procesi ka nisur në prill 2023.
Avokatët mbrojtës kërkuan pafajësinë e tyre dhe mohuan akuzat e ngritura nga prokuroria duke i cilësuar si të pabazuara në fakte apo të vërteta.