BE thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që ta respektojnë verdiktin e Speciales: Vendimi mund të apelohet
Bashkimi Europian ka kërkuar nga të gjitha shtetet dhe palët që të respektojnë vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK’së. Thirrja nga Brukseli vjen para marshit të sotëm në sheshet kryesore të Prishtinës dhe katër ditë para shpalljes së verdiktit në Hagë.
Bashkimi Europian, si një nga mbështetësit kryesorë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka kërkuar respektimin e vendimit që do të merret ndaj katër të akuzuarve në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
“Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thonë nga Brukseli për express.
BE potencoi mbështetjen e kahershme të saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) si “një institucion gjyqësor i pavarur”, ndërsa rikujtoi se është “themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015”.
“Parlamenti i Kosovës (përmes një amendamenti kushtetues) autorizoi zhvendosjen e procedurave në Hagë, për të ndihmuar në garantimin e procedurave gjyqësore të pavarura, të paanshme dhe të drejta në lidhje me pretendimet për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë”.
Por, BE’ja vë në pah se vendimi i 16 shtatorit nuk është fundi i procesit gjyqësor dhe se ai mund të apelohet nga të dyja palët.