Ajo që deri dje dukej si një përplasje e heshtur, tashmë mund të jetë kthyer në një çarje të pakthyeshme brenda VLEN-it. TS mëson nga burime brenda koalicionit se përplasja mes Izet Mexhitit dhe Adnan Azizit ka hyrë në fazën finale.
Sipas burimeve të TS, kjo nuk është më vetëm një mosmarrëveshje mes dy figurave, por një përplasje që mund të përcaktojë fatin e gjithë koalicionit. Burimet flasin për mundësinë që VLEN të mos ekzistojë më në formën aktuale dhe që partitë brenda tij të hyjnë të ndara në zgjedhjet e ardhshme.
“Ka një përplasje të madhe mes Mexhitit dhe Azizit dhe kjo përplasje mund të jetë fatale. Mosmarrëveshjet mes dyshes janë të thella dhe vështirë se mund të rikuperohen. Kanë nisur edhe bisedime të ndara me partitë e tjera dhe kjo nismë mund të çojë drejt ndarjes së VLEN-it. Njëra palë po bisedon me partinë e Taravarit, ndërsa pala tjetër me BDI-në dhe partitë e tjera”, deklaron për TS njëri nga funksionarët e VLEN-it.
I pyetur nëse Izet Mexhiti po zhvillon bisedime me BDI-në, burimi nuk e mohoi një mundësi të tillë, duke përmendur edhe një ish-deputet të BDI-së si ndërmjetës në komunikimet mes palëve.
“Ka bisedime dhe në këto bisedime është duke ndërmjetësuar një ish-deputet. Mos harro se pjesëmarrja e Ali Ahmetit në varrimin e babait të Mexhitit ishte edhe një nga sinjalet e para për një bashkëpunim të mundshëm. Ndoshta të duket e pabesueshme, por aty ishte edhe Bujar Osmani. Nuk janë të rastësishme”, thotë më tej burimi.
Një tjetër çështje që ngre pikëpyetje, sipas burimit të TS, është edhe situata në Bërvenicë, ku Mexhiti nuk e ka lejuar Bilall Kasamin me njxerr kandidat të BESËS edhe pse LD-ja Bërvenicë zyrtarisht mbështet kandidatin e BDI-së.
“Mexhiti nuk e lejoi Kasamin të nxirrte kandidat në Bërvenicë, edhe pse LD mbështet Arkin Jahijin dhe LD është shumë e dobët në Bërvenicë në krahasim me Lëvizjen BESA. A nuk është kjo një lloj bashkëpunimi me BDI-në?”, shprehet burimi duke thënë se ata në opinion nuk do ta pranojnë por nuk kanë ku ikin më.
Ndryshe, portali TS ka raportuar më herët se që nga zgjedhjet lokale ka pasur krisje të vazhdueshme mes Mexhitit dhe Azizit. Sipas burimeve tona, situata tashmë ka kaluar në një fazë tjetër dhe dyshja është përfundimisht e ndarë.
Nëse këto zhvillime konfirmohen, ndarja mes Mexhitit dhe Azizit mund të shndërrohet edhe në një ndarje të vetë VLEN-it, duke e vënë në pikëpyetje vazhdimin e koalicionit në zgjedhjet e ardhshme.